Banka 'Ziraat'

Ekonomi

Banka turke ‘Ziraat’ merr miratimin paraprak për të operuar në Shqipëri, BSH: Brenda 12 muajve të plotësojë dokumentacionin!

6 Gusht, 17:13| Përditesimi: 6 Gusht, 17:20

  • Share

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e degës së bankës së huaj "Dega e Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

“Ziraat Bank” është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare.

Dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve nga data e këtij vendimi, duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.

Ziraat është bankë me profil kryesisht bujqësor, dhe që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë sektor në Turqi. Por në Shqipëri, fokusi i saj në kreditim nuk do të jetë vetëm tek bujqësia por edhe më gjerë në fushat e tjera.

Nëse ajo arrin të hapë degë në Shqipëri, bëhemi shteti i pestë në Ballkan ku ka hyrë Ziraat, pasi ajo ka filial në Kosovë, Greqi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Malin e Zi.

Aktualisht në Shqipëri operojnë 11 banka nga të cilat gjashtë janë me kapital të huaj. Përveç ‘Ziraat’, në tregun shqiptar këtë vit pritet të hyjnë edhe 2 institucione të tjera bankare, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Banka Evropiane e Investimeve.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?