Ekonomi

Bankat ‘fshinë’ 870 mln euro kredi të humbura në 10 vite! BSH: Në gusht huatë me probleme në nivelin më të lartë të vitit

10 Tetor, 14:59| Përditesimi: 10 Tetor, 16:24

  • Share

Këstet e kredive nuk po paguhen në kohë, kryesisht nga qytetarët por edhe nga bizneset. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht niveli i kredive me probleme u rrit, në shifrën më të lartë të vitit. 4.19% e totalit të kredisë së dhënë nga bankat tregtare klasifikohet ‘me probleme’ pasi nuk po shlyhen në kohë, ndërsa në fillim të kjo shifër ishte 4.12%.

Ndërsa në raport me vjet, edhe pse si përqindje numri kredish, ato me probleme janë në rënie, e përkthyer në vlerë paraqitet në rritje. Huaja e keqe në fund të gushtit ishte 377 milionë euro nga 374 milionë euro që ishte vlera në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Shkak për rritjen e kredisë së keqe thotë Banka e Shqipërisë është bërë mos-pagesa në kohë e kredive nga qytetarët që kanë marrë kredi në vlerë të madhe dhe në monedhën Lekë.

“Rritja e stokut të kredive me probleme është vënë re në të gjithë portofolin e kredisë, por rezulton më e madhe për kredinë në Lek, për atë afatgjatë dhe për kredinë për individë”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të gjashtëmujorit të parë.

Rolin kryesor në mbajtjen në nivel të ulët të huasë së keqe të luhatur prej mbi një vit në pragun 4%, ka pasur fshirja e kredive të humbura.

“Pa fshirjen e kredive të humbura, që gjatë periudhës kanë qenë relativisht më të larta, rritja e stokut të kredive me probleme do të ishte më e madhe. Vlera e kredive të humbura të fshira gjatë 12 muajve të fundit vlerësohet në rreth 6 miliardë lekë”, thuhet ndër të tjera në raport.

Brenda 1 dekade thotë Banka e Shqipërisë, nga sektori bankar janë fshirë 870 milionë euro kredi që nuk ishin shlyer në kohë ndër vite.

KREDITË ME PROBLEME
Gusht 2024      4.61%
Gusht 2025      4.19%
Diferenca        -0.42%
KREDITË ME PROBLEME
Gusht 2024        374 mln euro
Gusht 2025        377 mln euro
Diferenca        +288 mln euro

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?