Bankat ristrukturim të kredive deri në 31 mars 2021, eksperti: Vendimi ndihmon kredimarrësit, nuk rrit huatë e këqija

14 Janar 2021, 17:35| Përditesimi: 14 Janar 2021, 17:39

  • Share

Vendimi që ka marrë Banka e Shqipërisë për të shtyrë në kohë masat lehtësuese për bankat e nivelit të dytë, duke ju dhënë mundësinë që të ristrukturojnë kreditë për ata klientë që kanë vështirësi financiare, për ekspertët ishte i duhur.

“Kjo në një farë mënyrë është një autonomi që iu jep mundësi bankave të nivelit të dytë që të negociojnë me klientët e tyre direkt porsa i përket shtyrjes së kësteve të kredive apo negocimit të kontratave të kredive. Nga njëra anë mbron bizneset apo kreditorët privat që kanë marrë kredinë në bankë duke mos i vënë në vështirësi, por nga ana tjetër mbron edhe bankat në mos-rritjen e kredive të këqija”, shprehet eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Nëpërmjet vendimit të këshillit Mbikëqyrës, bankave ju jepet e drejta që nëpërmjet një marrëveshje me klientin që ka vështirësi të ndryshojnë kushtet e kredisë, afatin por edhe normën e interesit.

“Kam përshtypjen që do të bëhet më tepër me uljen e kësteve dhe me shtyrjen e kësteve, nuk do diskutohet ulja e normës së interesit, sepse bankat nuk kanë interes që të humbasin të ardhurat e veta”, shprehet eksperti.

Vijimi i masave lehtësuese sipas ekspertit është ndërmarrë edhe për shkak të frikës që kriza mund të afektojë sektorin bankar.

“Ajo që është frikë është që kjo krizë ekonomike të mos infektojë sistemin financiar, që të mos kalojmë nga një krizë ekonomike në një krizë financiare”, sqaron Muço. 

Nga moratoriumi që firmos Banka e Shqipërisë dhe Kryeministri Edi Rama në mars për të shtyrë dhe ristrukturuar kreditë përfituan mbi 25 mijë klientë dhe u rishikuan 2 miliardë euro kredi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?