Foto ilustruese

Ekonomi

Bankat shqiptare kanë investuar më shumë se 940 milionë euro në Eurobonde të qeverisë

20 Shkurt, 07:47| Përditesimi: 20 Shkurt, 07:49

  • Share

Sektori bankar rriti më tej investimin në Eurobondet e qeverisë shqiptare gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se letrat me vlerë në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar në fund të vitit 2024 arritën vlerën e 92.5 miliardë lekëve ose afërsisht 942 milionë euro (me kursin e ditës së fundit të vitit të kaluar). Krahasuar me një vit më parë, vlera e këtyre aseteve është rritur me 11.5%.

Megjithatë, nëse e zhveshim rritjen nga efekti i kursit të këmbimit, ajo do të rezultonte edhe më e lartë. Kursi i këmbimit euro-lek e mbylli vitin 2024 në nivelin 98.15 lekë.

Ky është kursi më i ulët historik i regjistruar në fund të vitit kalendarik dhe shumë afër nivelit minimal historik të të gjitha kohërave, të regjistruar në nëntor 2024. Krahasuar me fundin e vitit 2023, kursi i këmbimit të euros me lekun ka rënë me 5.5%.

Pesha specifike e Eurobondeve të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar ka shënuar një rritje të lehtë, në 4.3% të aktiveve nga 4.2% që përbënte një vit më parë.

Ndërkohë, duke përfshirë edhe letrat e borxhit në lekë, ekspozimi total i sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare përbënte 27.1% të vlerës totale të aktiveve, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 26.4% i një viti më parë.

Instrumentet e borxhit në valutë të qeverisë shqiptare kanë tërhequr një interes në rritje të sektorit bankar shqiptar në vitet e fundit. Investimi në këto instrumente ka ofruar kthime të kënaqshme, përgjatë një periudhë kur normat e interesit për monedhën euro kanë qenë shumë të ulëta.

Investimi në Eurobonde në disa prej emetimeve të tyre është favorizuar edhe nga kushtet lehtësuese të përkohshme të mundësuara nga Banka e Shqipërisë, që ka lejuar bankat që këto investime të ponderohen me një koeficent rreziku më të ulët, krahasuar me nivelet standarde të kërkuara nga kuadri rregullator, për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Ndërkohë, këtë muaj qeveria shqiptare emetoi Eurobondin e shtatë, me vlerë totale prej 650 milionë eurosh dhe afat maturimi 10-vjeçar. Në përgjithësi, shuma e ofruar për bankat tregtare vendase në emetimin primar nuk është shumë e madhe dhe në asnjë rast nuk e ka kaluar 10% të gjithë vlerës së emetimit. Megjithatë, në një masë të madhe investimet e bankave në Eurobonde kryhen nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor.

Rritja e lartë e depozitave në valutë gjatë viteve të fundit ka krijuar sasi të konsiderueshme likuiditetesh të lira për bankat. Në fund të vitit 2024, depozitat në monedhën europiane arritën shifrën rekord të 8.04 miliardë eurove, në rritje me 10.2% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë tenton ta bëjë më të kushtueshëm kreditimin në valutë të huaj për subjektet me të ardhura në lekë, çka i kufizon hapësirat e rritjes së kredisë në euro për sektorin privat shqiptar. Në këtë mënyrë, Eurobondet në vitet e fundit kanë shërbyer edhe si një instrument për thithjen e likuiditeteve të lira në valutë të sektorit bankar.

Duke patur parasysh se i gjithë stoku i emetuar dhe i pashlyer i Eurobondeve shqiptare në fund të vitit 2024 ishte rreth 2.27 miliardë euro, mund të llogaritet se sektori bankar zotëronte më shumë se 41% të gjithë portofolit të tyre./ Monitor

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?