223.2 milionë euro është vlera e kredive të rishikuara deri në fund qershorit të vitit të këtij viti. Të dhënat bëhen të ditura nga Banka e Shqipërisë, ku në raportin e fundit thuhet se vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti janë rishikuar 49.6 milionë euro kredi.
Në mars të vitit të kaluar banka qendrore mori një sërë masash për të shtyrë dhe parë kushtet e kredisë, me qëllim që të mbështeste bizneset dhe qytetarët, pasi fuqia e tyre paguese ra si pasojë e karantinës dhe masave shtrënguese që u vendosën prej pandemisë.
Sipas raportit sektori që ka bërë më shumë kërkesa për të ristrukturuar kreditë është industria, për shkak se u godit edhe më rëndë nga pandemia COVID-19, këtu përfshihen edhe fasoneritë dhe fabrikat e përpunimit.
“Bizneset kredimarrëse nga sektori i industrisë kanë ristrukturuar rreth 14% të stokut të përgjithshëm të kredisë dhe kredia e ristrukturuar për këtë sektor ishte sa rreth 35% e gjithë vëllimit të kredive të ristrukturuara nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe”, thuhet në analizën e bankës.
Dy sektorë të tjerë të ekonomisë, me peshë të konsiderueshme në vëllimin e kredive të ristrukturuara gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ishin sektori i tregtisë dhe ai i turizmit, me 66,1 milionë euro.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat sipas raportit janë: zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit dhe/ose kamatëvonesave, ndryshim i principalit, dhe caktimi i një periudhe faljeje për principalin ose interesin e kredisë. Mbi 60% e kredisë së ristrukturuar i është zgjatur afati i shlyerjes së saj.