Në ditën ndërkombëtare të mjedisit, kompania Bankers Petroleum Albania në bashkëpunim me Shoqatën Mjedisore Zharrza kanë mbjellë dhjetëra pemë pranë fushës naftë-mbajtëse Patos-Marinëz. Drejtues dhe punonjës të Bankers u janë bashkuar vullnetarëve të Shoqatës në kuadër të nismës për të ndërtuar një brez të gjelbër përreth kësaj zone.
“Dita Ndërkombëtare e Mjedisit ka qenë gjithmonë e rëndësishme për Bankers si një kompani e fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj fushe. Përvec kujdesit që në tregojmë për mjedisin gjatë operacioneve tona hidrokarbure të përditshme, në këtë ditë ne organizojmë aktivitete të ndryshme në rajonin e Fierit. Këtë vit ne u jemi bashkuar vullnetarëve të Shoqatës Mjedisore Zharrza në mbjelljen e pemëve përreth Marinzës. Ne kemi zhvilluar një projekt të përbashkët me ta për mbjelljen e pemëve përgjatë gjithë fshatrave të zonës sonë të operimit si pjesë strategjisë sonë për të përmirësuar vazhdimisht mjedisin”, tha në prononcim Luntao Chen, Nëndrejtor për Zhvillimin e Kërkimit të Naftës.
Drejtuesi i Shoqatës, Qani Rredhi tregon se prej vitesh kanë ngritur një projekt të përbashkët me kompaninë Bankers për të ngritur një brez të gjelbër përreth 35 km që rrethon zonën e Patos-Marinzës duke mundësuar kështu përmirësimin e mjedisit dhe të ajrit për të gjithë banorët që jetojnë në fshatrat përreth.
“Sot në kuadër të ditës ndërkombëtare të mjedisit po bëjmë mbjelljet e fundit të plepit. Është një projekt i nisur që në 2020. Ideja e këtij projekti financuar nga kompania është krijimi i një brezi të gjelbër në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës. Janë 35 km rrugë, ne kemi mbjellë 13 km. Mendojmë që ky projekt të jetë në vazhdim”, tha Kryetari i Shoqatës Mjedisore Zharrza, Qani Rredhi.