Kompania e prodhimit të naftës në vendburimin Patos-Marinëz, Bankers Petroleum Albania vijon të dominojë të ardhurat doganore nga renta minerare.
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Bankers i ka paguar qeverisë Shqiptare mbi 6 Milion dollarë taksë minerare, duke zënë kështu rreth 80% të totalit të të ardhurave nga renta doganore. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë periudhës Janar-Mars 2023, në doganën shqiptare janë paguar gjithsej rreth 827 Milion lekë ose rreth 7.7 Milion dollarë rentë minerare.
Edhe gjatë vitit të kaluar, të dhënat zyrtare konfirmojnë se Bankers ka dominuar në të ardhurat doganore. Në total në vitin 2022, kompania ka paguar rreth 20 Milionë dollarë rentë minerare, ndërsa të ardhurat totale nga kjo taksë ishin 37 Milionë dollarë. Pjesa e Bankers mbetet e njëjtë me vitin 2023, rreth 80%.
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Bankers ka paguar një total mbi 14.2 Milion dollarë taksa për pushtetin qendror dhe atë vendor. Pjesa më e madhe është pagesa e rentës minerare, duke përfshirë transferimin e prodhimit ekzistues tek kompania shtetërore e naftës, Albpetrol.
Burime zyrtare të kompanisë konfirmojnë se vit pas viti po shënohet një rritje e pandalshme e taksave që shkojnë për pushtetin vendor ku ajo operon. Gjatë këtij viti, pushtetit vendor i janë paguar 1.65 Milion dollarë taksa, pothuajse dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Në total, që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri në vitin 2004, kompania Bankers ka paguar 900 Milion dollarë taksa dhe detyrime.