Banorët e shtatë fshatrave në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kundërshtojnë ndërtimin e dy hidrocentraleve në përroin e quajtur "Lusa" që rrjedh nga mali i Balgjajt.
Banorët kanë zhvilluar disa protesta deri tani, ndërsa e fundit ishte nga banorët e 7 fshatrave që u grumbulluan në fshatin Suç. Banorët shprehen se janë totalisht kundër ndërtimit të këtyre dy HEC-eve, pasi sipas tyre shkatërrohet ekosistemi, nuk do të ketë ujë vaditës dhe ujë të pijshëm. Ata deklarojnë se do ta mbrojnë me çdo çmim ujin e tyre dhe nuk do të lejojnë kompaninë të vazhdojë punimet.
"E vetmja pasuri që ka Kurdaria është ky përrua, me të jetojmë, mbajmë blektorinë dhe çdo gjë që kemi këtu. Nuk ka ka mbetur asgjë tjetër përveç këtij uji. Me na marrë ujin, më mirë të na marrin shpirtin", u shpreh një banor.
"Fshati me atë ujë jeton. Me i marrë edhe atë ujë, i gjithë fshati do të vdesë. Të investojë ku të jetë për të investuar, jo aty, kushdo qoftë firma. Nuk ka rëndësi i majtë apo të djathtë. Bashkia dhe shteti duhet ta mbështesë popullin ", shtoi një tjetër.
Anëtari i Këshillit të Bashkisë Klos, Gentian Gjinaj tha se futja e ujit në tuba për HEC-e do të ishte fundi i jetës në këto fshatra, ndaj do të përdoret çdo mekanizëm për ta ndaluar.
"Ne kërkojmë më shumë transparencë. Mbi të gjitha e dyta, banorët janë të irrituar se të gjithë pretendojnë se u rrezikohet uji i pijshëm dhe ai vaditës.", u shpreh ai.
I pranishëm në këtë protestë ishte edhe deputeti i zgjedhur me 11 Maj, Agron Malaj i cili deklaroi mbështetjen e tij ndaj banorëve si dhe u shpreh se do të kërkohet anullimi i gjithë procedurës për ndërtimin e dy hidrocentraleve.
Banorët paralajmëruan vijimin e rezistencës së tyre si dhe kërkuan nga institucionet vendore e qëndrore të ndalin zbatimin e projektit.
Komente
