Banorët e 'Kukësit të Vjetër', ende pa kompensim për pronën e tyre! Prefekti: Sillni dokumentacionin (VIDEO)

8 Shkurt 2020, 16:52| Përditesimi: 8 Shkurt 2020, 17:04

  • Share

Një problem i mbartur prej 30 vitesh dhe ende i pazgjidhur. Banorët e Kukësit të vjetër kanë kërkuar shpronësim dhe kompensim të pronave të tyre, që u përmbytën më ndërtimin e hidrocentralit të Fierëz në 1978. Kreu i Shoqatës së Familjeve të Tokave të Përmbytura, Sherif Kastrati tha se banorët do të nisin protestat dhe se çështjen e tyre do e çojnë deri në Gjykatën e Strasburgut dhe te ambasada e SHBA dhe ajo Gjermane nëse nuk marrin zgjidhje nga autoritet lokale dhe qendrore.

'Tani do presim për një zgjidhje që të shkojmë në rrugë institucionale, të ulemi rrafsh, t'i ndajmë dhe problemet. Nëse dikush ka marrë pronë jo të vetën dhe nëse dikush ka tokën e vetë shteti duhet ta kompensojë e t'i japë lekët. Se ne do të bëjmë diçka nuk do rrimë kështu, edhe në Gjykatën e Strasburgut do e çojmë, dhe te ambasada e SHBA dhe te ajo Gjermane, do kërkojmë azil për 500 banorë se këtu nuk kemi çfarë të bëjmë', tha Kastrati.

Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Zenel Kuçana thotë se ka kërkuar dokumentacionin ligjor që vërtetojnë pronën e gjithsecilit prej banorëve të prekur, por deri me sot ky dokumentacion nuk i është vënë në dispozicion.

'Unë jam takuar me përfaqësues të kësaj shoqate dhe për problemet që ata kanë unë jam sqaruar me ta, kam kërkuar dokumentacionin ligjor që vërtetojnë pronën e gjithsecilit dhe t'i bëj kërkesë qeverisë për ta kompensuar. Por deri më tani nuk më kanë sjellë asnjë dokument. Për protesta ne jemi shtet demokratik, nuk ka asnjë lloj problemi', tha Kuçana.

Edhe pse që nga 1994, 2000 dhe 2008 kanë dalë tre VKM, për kompensim të tokave të përmbytura, deri më sot janë shpronësuar dhe kompensuar vetëm 15 % e banorëve të prekur. Ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës në vitin 1978 përmbyti Kukësin e vjetër dhe 36 fshatra të rretheve Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?