Banorët e Kurdarisë në Dibër kanë protestuar para Parlamentit pasi kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë.
Kësaj proteste i është bashkuar edhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, ku në fjalën e saj para protestuesve, nënkryetarja Dorina Prethi, theksoi rëndësinë e reagimit qytetar dhe institucional për mbrojtjen e burimeve natyrore.
“Ne duhet të ngrihemi të mbrojmë vendin tonë, sepse pasojat do jenë të pakthyeshme nëse vala e vjedhjes së ujërave vazhdon siç ka nisur, jo vetëm në Kurdari, por edhe në zona të tjera. Para disa ditësh, banorët na janë drejtuar mua dhe z. Adriatik Lapaj si përfaqësues ligjorë. Por edhe politikisht, ‘Shqipëria Bëhet’ është plotësisht në mbrojtje jo vetëm të kësaj kauze, por të çdo kauze që mbron pasuritë publike e kombëtare’, tha ajo.
Prethi njoftoi gjithashtu se është zhvilluar seanca e parë gjyqësore për çështjen, e cila është shtyrë për arsye procedurale.
“Një nga institucionet e paditura nuk kishte njoftuar nëse kishte marrë dijeni për padinë, prandaj seanca u shty. Kemi kërkuar sigurimin e padisë, që do të thotë pezullimin e punimeve deri në marrjen e një vendimi. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të reflektojnë dhe të marrin parasysh zërin e banorëve’, tha ajo.
Komente
