POGRADEC- Të rinj e të moshuar i sheh çdo ditë me enë në krahë. Janë banorët e fshatit Qershizë në Pogradec, të cilët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
"Ne nuk kemi ujë të pijshëm këtu. Marrim bidonët dhe mbushim atje lart", tregoi një banore.
"Vëmë pus më pus e mbushim ujë. Është e vështirë, jemi plaka", tha një e moshuar.
"Vete në këmbë e mbush", tregoi një tjetër.
Ata shprehen se uji në çezmat e tyre përpos se shkon me orare të kufizuara është dhe i ndotur.
"Këtu e 50 vjet nuk ka ujë. Vjen sa për tualet. Unë vej në një pus atje sipër", tha një banor.
Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në Bashkinë e Pogradecit premton se në muajin shkurt do të fillojë projekti për furnizim me ujë te pijshëm.
"Projekti për furnizimin me ujë të pijshëm nis në shkurt. Do fillojë implementimin dhe përmbushjen e kompenetit të furnizimin me ujë të pijshëm. Për sa i përket analizave nuk di gjë. Sa i përket ujit në familje mund të përmend mijëra faktor që sjellin ndotje. E vetmja mënyrë për të menaxhuar situatën është kontrolli i depove, mbajtja pastër", u shpreh përgjegjësja e financimeve të huaja dhe koordinatore projekti, Valiona Saro.
Në fshatin Qershizë banojnë rreth 300 familje, që përballen prej vitesh me këtë problematikë.