Banorët në Zall Herr

Banorët e Zall Herrit protestë për asfaltimin e rrugës: Është skandal, kemi frikë të çojmë fëmijët në shkollë! Na u bë premtimi gjatë fushatës dhe s’u mbajt

3 Tetor 2023, 10:21| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 10:22

  • Share

TIRANË- Banorët e Zall Herrit kanë dalë sërish në protestë për të ngritur dy problematika që për ta janë shumë shqetësuese. Problemi i parë lidhet me shtrimin e rreth 3 kilometrave rrugë në Zall Herr ndërsa tjetri me ujin i pijshëm. Siç dihet, zona e Zall Herrit gjendet shumë pranë Bovillës, që në fakt do të mundësonte që të gjithë banorët e zonës do mund të kishin ujë të pijshëm 24 orë.

Por, siç rrëfejnë banorët, uji vjen i turbullt dhe janë të detyruar ta blejnë. Sidoqoftë, banorët e cilësojnë si më imediate për të ndërhyrë për asfaltimin e rrugës.

“Rruga është skandal, në Shqipëri s’ka rrugë më të keqe se kjo. Ne kërkojmë rrugën dhe ujin. S’kemi marrë asnjë përgjigje nga institucionet. Ne do të bllokojmë rrugën deri në fund. S’është as rrugë e gjatë, se pse nuk e bëjnë nuk e di. Kalojnë edhe shumë turistë në këtë rrugë po se çan kokën njeri fare.

Kemi frikë të çojmë fëmijët në shkollë, sa të bjerë shi këtu nuk kalohet fare. Detyrohemi që ujin e pijshëm e blejmë pavarësisht se kemi Bovillën kaq afër sepse vjen i turbullt.

Problemet me ujin kemi 5 vite që i vuajmë, këtu kalojnë 3 tuba, jeta është shumë e vështirë. I bëjmë thirrje autoriteteve të vijnë ta shohin dhe ta rregullojnë rrugën, s’kemi për të ndalur protestën.

Duan të na shpopullojnë, pavarësisht se nga këtu kanë ikur shumë. Ne që kemi ngelur jemi pak, sepse s’duam të lëvizim. As 15 shtëpi kanë mbetur nga 50.”- tha banori nga Zall Herri.

Një tjetër banor u shpreh se ndonëse shtrimi i rrugës dhe problematika e ujit të pijshëm ishin pjesë e premtimeve elektorale, në zonën e Zall Herrit nuk ka shkuar askush që ta zgjidhë. Banorët u zotuan se do të protestojnë derisa kjo problematikë të gjejë zgjidhje.

“Gjatë këtij rrugëtimi, bëmë edhe një test se sa na përfaqëson kjo njësia jonë këtu, por ja që nuk rezultoi kështu. Na kanë kontaktuar gjithnjë sa herë që bëhen zgjedhjet, rezultoi krejt e kundërta. S’kemi hallin se ç’bëjnë ata, por për të diskutuar se çfarë do bëhet këtu. Jemi shumë të indinjuar, ne protestën. Premtime elektorale ka pasur shumë, ne s’kemi hall asgjë. Ne duam që të ngrihet një ekip ekspertësh të vlerësojnë ujin dhe problemin se nga bëhet turbullira. Por ne problemin më të madh e kemi me rrugën. Na erdhi një deputet këtu na tha që nuk e dinin sesi ishte rruga. Më duket paksa ofenduese që mos të dish sesi është rruga këtu kur mund ta kërkosh direkt nga Google. Megjithatë, ai mbase nuk do mandat tjetër, e ka hedhur lumin, e si i shkon kësaj pune... ne na ka mbetur kali”- tha banori tjetër.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?