Kjo është periudha e përshtatshme për të kuptuar se sa është numri i këtyre banorëve sezonalë. Kryesisht të shpendëve migratorë që rikthehen çdo vit në 33 ligatinat shqiptare.
Zona të mbuluara me borë, rrugë të kalueshme e të pakalueshme, kryesisht shtëpitë në fshatra kanë bërë gati stivat e druve për ngrohje.
Natyra e ftohtë jo rrallëherë tregohet bujare me pamjet mbresëlënëse.
E ndërsa njerëzit mundohen të mos ekspozohen shumë ndaj temperaturave që janë ulur ndjeshëm, disa lloje kafshësh dhe shpendësh gjejnë habitatin e tyre jetësor në këtë stinë.
Vetëm 10 km larg qytetit të Korçës, në pyllin e fazanëve që gëazon edhe statusin e monumentit natyror shëtisin sorkadhe, lepuj të egër, fazanët gjithashtu e kafshë e shpendë që dimërojnë në këtë sipërfaqje prej 50 ha.
Kjo është periudha e përshtatshme për të kuptuar se sa është numri i këtyre banorëve sezonalë. Kryesisht të shpendëve migratorë që rikthehen çdo vit në 33 ligatinat shqiptare.
Në datat 13-14 janar u zhvillua Censusi i Shpendëve Ujorë Dimërues, pjesë e Censusit Ndërkombëtar, në rreth 143 shtete të botës. Në të u përfshinë 91 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, 11 ekspertë të shpendëve, pjesë e organizatave joqeveritare, por edhe vullnetarë të cilët zbritën në terren për të dokumentuar ligatinat.
Rezultatet treguan se këtë vit janë rreth 100 mijë shpendë uji që dimërojnë nëpër ligatinat shqiptare nga veriu në jug të vendit.
Ekspertët thonë se ka ulje ulje të numrit të tyre krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të ndryshimeve klimaterike të cilat nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë.
“Përgjithësisht me ndryshimet klimaterike ka një ulje të numrit të popullatës së përgjithshme të shpendëve dimërues, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun”, thotë Spase Shumka, profesor Universiteti Bujqësor.
Profesor Shumka thotë se rritja e temperaturave nuk është faktori i vetëm që disa shpendë po rrezikojnë zhdukjen në Liqenin e Pogradecit.
“Ka të dhëna të sakta për disa shpendë që ushqehen në pjesën e bregut të Liqenit me rërë, janë shpendë sqepgjatë të cilat pothuajse po rrezikohen. Në Pogradec kemi parë një specie të tillë, quhet “Galinago galinago” tani pothuaj nuk e kemi ndeshur vitet e fundit. Ndërtimet e fundit, platformat do ta cënojnë këtë gjë, është një element shumë negativ është zonë UNESCO dhe këto gjëra janë kundër shëndetshmërisë së ekosistemit”, thekson ai.
Gjatë vëzhgimit, në Liqenin e Ohrit është konstatuar një specie e re.
“Zakonisht shohim në Liqenin e Ohrit rreth 25-27 lloje, sivjet kemi një specie të re, bëhet fjalë për Gjelëzën Sqephollë të cilën e kemi parë në afërsi të Tushemishtit, nuk e kishim parë vitet e mëparshme”, vijon Shumka.
Rreth 11 mijë shpendë janë banorë të luginës së Nartës, ndërsa 1 mijë e 300 shpendë janë pjesë e lagunës së Orikumit. Në Butrint regjistrohet një numër i konsiderueshëm prej 3300 shpendë. Këto shifra u publikuan gjatë censit të shpendëve të kryer këtë janar, kryesisht në shpendët ujorë dimëror.
Specialisti i zonave të mbrojtura Vlorë Nexhip Hysenlakoj ka konfirmuar se flamingot, pulëbardhat dhe pelikani kaçurrel janë shpendët më karakteristikë që gjenden në Lagunën e Nartës gjatë stinës së dimrit. Po ashtu edhe rosat apo çafkat e bardha dhe të përhimëta ndeshen shpesh në dimër.
“Në dimër që vijnë gjatë dimërit dhe pastaj largohen janë disa lloje rosash, janë çafkat që vijnë dhe pastaj lëvizin në vende të ndryshme në bazë të klimës. Ato që janë gjithmonë janë flamingot, pulëbardhat e zakonshme që janë gjithmonë prezente në këto territore”.
"Flamingot kanë habitatin e tyre në kripore për shkak të ushqimit, por edhe laguna të cekëta”, tha specialisti i Zonave te Mbrojtura.
Shqetësues për Hysenlakon shihet gjuetia e paligjshme e shpendëve nga banorët e zonës.
“Gjithmonë ka një konflikt midis popullatave të shpendëve dhe çdo lloj aktiviteti njerëzor. Por mbi të gjitha ajo që ndikon direkt është vrasja fizike dhe zhurmat, prishja e habitatit. Sigurisht që po, ne themi se jemi në kushte të mira sa I takon këtij aktiviteti, por gjithsesi nuk është se nuk kemi raste, apo ekziston edhe gjuetia e paligjshme në zonë”, shton Hysenlakoj.
Tufa të shumta shpendësh kanë imigruar edhe në Liqenin e Fierzës, ndërsa një grup studiuesish së bashku me Administratën Rajonale te Zonave të Mbrojtura, ka bërë numërimin e tyre në pesë pika monitorimi në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Dimërorë Ujorë.
‘Procesi ka shkuar mirë dhe kemi pasur pesë pikë monitorimi. Nga përfundimi i numërimit ne kemi 1626 individë të 11 specieve.’ tregoi Gjana.
Kreu i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Lefter Gjana, tha se ka një rritje të numrit të individëve dhe specieve, krahasuar me vitin e kaluar dhe përkëtë ka ndikuar edhe moratoriumi i gjuetisë.
“Jemi në moratoriumin e gjuetisë dhe kjo normalisht ka sjell një ndikim pozitiv. Po ta krahasojmë me një vit të parë kemi rritje edhe të individëve dhe specieve. Në vitin 2023 kemi pasur 10 lloje ndërsa për këtë vit 11 lloje. Në vitin 2023 kemi pasur 1399 individë. Varet edhe nga klima”, tregoi Gjana.
Ndonëse në Kukës dimrat e viteve të fundit janë të butë, Liqeni i Fierzës në sezonin dimëror, gjithnjë e më shumë po pasurohet me shpendët e egër, duke ndikuar pozitivisht edhe për sektorin e turizmit ujor.
Ndërkohë që tjetër sfidë për këtë liqen është edhe pastrimi tij. Ky habitat për shpendët ujorë mbulohet nga mbetjet plastike që sjellin lumenjtë.
Dy projekte të rëndësishme pritet të implementohen së shpejti në qarkun e Kukësit. Nëpërmjet një anije do të mblidhen dhe riciklohen mbetjet në sipërfaqen e Liqenit si dhe do të vendosen dy prita në lumenjtë Drini i Bardhe dhe Drin i Zi.
Ligatina më e madhe në vendin tonë është Parku Kombëtar, “Divjakë-Karavasta”. Këtu gjenden edhe llojet dhe numri më i madh i Shpendëve Ujorë Dimërues.
Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut.
Ishulli i Kularit ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, 0,5m mbi nivelin e detit, i formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit. Ishulli është i mbuluar nga shkurret, plep i egër, dru cedri, kullota dimërore dhe lloje të ndryshme bimësie të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, veçanërisht, pelikani Dalmat.
Fauna e kompleksit Divjakë-Karavasta është mjaft e pasur dhe e larmishme, si rrjedhojë e mjediseve dhe habitateve të ndryshëm, që shfrytëzohen për dimërim, folëzim apo shtegtim nga shumë lloje shpendësh. Janë evidentuar rreth 25 lloje të gjitarëve, afro 29 lloje zvaranikësh dhe amfibësh (duke përfshirë dhe breshkën e detit) dhe më tepër se 210 lloje shpendësh dimëror.
Në ligatina, në pyll dhe në sektorët e tjerë të parkut takohen 229 lloje shpendësh, por ky numër mund të pasurohet edhe më tej nga vrojtimet e mëtejshme ornitologjike. Meqë ligatinat janë mbizotëruese, llojet më të zakonshme janë shpendët e ujit, ndjekur nga shpendët harabelorë në mjediset shkurrore dhe pyjore. Më e pasur është stina e dimrit, kur vijnë shpendë nga zonat malore apo nga veriu i vendit.
Ky komunitet i shpendëve e bënë ekosistemin një vend unik dhe karakteristik, përsa i takon shumëllojshmërisë dhe pranisë së llojeve të rrallë, të rrezikuar e të kërcënuar globalisht.
Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues.