Ish-presidenti amerikan Barack Obama fitoi çmimin Emmy si rrëfyesi më i mirë për serinë e dokumentareve ‘Parqet tona të mëdha kombëtare’, në Netflix.
Çmimi u dha të shtunën, ndërsa është kompania e produksionit të Obamas, Higher Ground, ajo e cila ka realizuar serinë e dokumentareve .
Përveç çmimit Emmy, Obama ka marrë më herët edhe dy çmime Grammy, duke e sjellë atë një hap më pranë për t’u bërë një Egot, status që merret kur dikush ka një çmim Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony. Obama fitoi çmimet Grammy për versionet audio të kujtimeve të tij “The Audacity of Hope” dhe “Dreams from My Father”.
Obama bëhet kështu presidenti i dytë amerikan në histori që fiton një Emmy, pas Dwight Eisenhower. Pas largimit nga detyra në vitin 2017, Obama dhe gruaja e tij Michelle krijuan Higher Ground, duke arritur një marrëveshje me Netflix që thuhet se vlente dhjetëra milionë dollarë.