Partizani barazoi të enjten 1-1 në Talin (Estoni) kundër Nomme Kalju për ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues në Conference League. Disavantazhit të Mannilaan, të kuqtë iu përgjigjën me golin e Xhuliano Skukës. Barazim me peshë ky për të besuarit e Skënder Gegës që në datën 17 korrik zhvillojnë ndeshjen e kthimit në "Air Albania", aty ku do vendosen edhe fatet për turin e dytë.
Pas ndeshjes, trajneri i të kuqve komentoi edhe duelin duke thënë se e donte këtë rezultat edhe për faktin se në fushë vendosi të hidhte tre adoleshentë, duke mos dashur që në fund ata të ishin 'shënjestra' e një rezultati jo të mirë.
"Rezultati - Mendoj që ishtë një ndeshje e vështirë. E filluam pak me probleme pasi patëm edhe dëmtimin e Kekos, që të them të drejtën është një lojtar që kohët e fundit ka dhënë një impakt tjetër në ekip. Siç u zhvillua loja mendoj se ishte e barabartë. Kishim përballë një ekip që mua më pëlqeu si luajti. Mos harrojmë që ne patëm në fushë edhe lojtarë 16 vjeçarë nuk është pak dhe është risi për Partizanin. Kjo na bën më shumë optimist. Ndeshjen e kthimit e kemi në shtëpinë tonë përballë tifozëve tanë. Për sfidën e kthimit do të kemi të gatshëm edhe Isgandarlin shpresoj që edhe Keko të bëhet dhe të jemi të plotë.
Kushtet atmosferike - Mendoj se në krahasim me Shqipërinë favor kishim se ishte freskët, fusha ishte shumë e mirë. Era dhe reshjet e shiut ishin për të dyja ekipet , nuk besoj se ishin kushtet atmosferike ato që mund të zbehin impenjimin apo performancën.
Paraqitja - Si ekip u munduam të luanim në grup dhe të shfrytëzonim aftësitë tona me kundërsulme. Por mos harrojmë dhe 3 lojtarët me moshë të re që për herë të parë luanin në kompeticione të tilla. Diçka që të bën edhe optimist por ishim gjithë kohën në tension që të mos i jepnin askujt hapësira të flasin për 16 vjeçarët. Unë jam për Partizanin dhe për aq kohë sa do jem këtu në këtë profesion do ti mbështes ata që e meritojnë panvarësisht nga mosha.
Malaj 18 vjeç, Himallari dhe Vata 16 vjeç, sa i kënaqur jeni me debutimin e tyre në Europë? Përderisa e shoh që kanë parametra të mira edhe në aspektin fizik panvarësisht nga mosha, eksperienca dikush duhet ti japi dorë. Por këta nuk janë baza e Partizanit. Këta lojtarë patjetër që do kenë minutazhin e tyre do rriten shumë shpejt, do jenë investimi i Partizanit dhe unë e bëj me shumë dëshirë dhe shumë besim. E rëndësishme është që e gjithë pjesa tjetër që kanë më shumë eksperiencë të japin maksimumin, por edhe të sakrifikojnë", tha trajneri Gega mes të tjerash në intervistën pas ndeshjes të botuar në kanalet zyrtare të klubit të kuq.
Komente
