Inter shpërdoroi një tjetër rast të artë kundrejt Napolit, teksa në supersfidën e titullit skuadra e Antonio Contes barazoi zikaltërit 1-1 në minutën e 87 me Billing. Nëse zikaltërit do të mbronin deri në fund golin e Dimarcos sot diferenca do të ishte në 4 pikë, por 11 javë nga fundi i sezonit titulli në Seria A është ende enigmë.
Mirëpo në pritje të verditkit tifozët janë disi të acaruar me skuadrën, pasi këtë sezon shumë gola Interi i ka pësuar në minutat e fundit. Sipas mediave në Itali janë 10 nga 25 gola gjithsej që zikaltërit i kanë pësuar pas minutës së 80, ose ndryshe 40% të golave kanë ardhur pas asaj minute.
Ka nga ana të besojnë se faktori kryesor është mosha mesatare e skuadrës, që i kalon 29, por ka edhe të tjerë që bëjnë me faj trajnerin Inzaghi për zëvendësimet. Kur flasim për këtë pjesë mendja të shkon te Alesandro Bastoni, i cili në 5 raste që është zëvendësuar Interi ka pësuar gol.
Fillimisht kjo ndodhi në derbin e parë të sezonit ku Interi u mposht 1-2 nga Milani, më pas në Udinese-Inter ku Lucca shënoi në minutën e 83. Gjithashtu në Inter-Torino dhe më pas Juventus-Inter. Për të arritur në ndeshjen e fundit me Napolin ku Bastoni la fushën në minutën e 80 dhe Billing shënoi në të 87. Alesandro Bastoni duket se është hajmalia e Interit për këtë sezon.
Komente
