Barazimi në limite, Orges Shehi: Në ndeshjen e radhës me ndryshime! Heroi Lushkja beson: E kalojmë turin

14 Korrik 2023, 09:37| Përditesimi: 14 Korrik 2023, 15:51

  • Share

Tirana barazoi 1-1 me Dinamo Batumin e Gjeorgjisë, për turin e I të Conference League. Dueli i "Air Albania-s" u barazua në minutën e 90+3 nga Regi Lushkja, që u fut në fushë si zëvendësues. Në të 66 minutë miqtë shënuan të parët, teksa zëvendësimet te Tirana dhanë rezultat. Përgjoni asistoi për Lushkjën, me dyshen që u fut nga stoli.

Në lidhje me ndeshjen, trajneri Orges Shehi tha se në duelin e kthimit të enjten që vjen do ketë ndryshime në Gjeorgji.

"Jemi koshient që është ndeshje me dy takime, na pret një tjetër pas kësaj. Ne kërkonim të ishim më agresivë, kundërshtarin ta ftonim të luante në qendër për t’i rrëmbyer topin e për t’u nisur pastaj. Mendoj se deri diku e bëmë mirë, por pastaj disa elementë, sidomos fundi, ku mund të merrnim më shumë hapësirë me krahët, e kërkuam me ndërrimet, që Regi të lëvizte në zonat bosh që e bëri mirë", tha fillimisht Shehi pas ndeshjes.

Më pas trajneri durrsak paralajmëroi ndryshime në ndeshjen e radhës.

"Është normale që pas një ndeshje të parë dhe analizimit të kundërshtarit që e sheh real, se disa kanë të rinj në skuadër, kemi panoramë më të qartë. Mund të ketë ndryshime njerëzish, lojtarët që u futën ndryshuan rrjedhën e lojës. Mund të ketë ndryshime njerëzisht e rreshtimi në varësi të asaj që pamë në ndeshjen e parë”, tha Shehi për MCN.

Heroi i bardhebluve, Regi Lushkja ka besim se të tijtë do kualifikohen në ndeshjen e kthimit.

"Jam i lumtur për golin. Ishte një ndjenjë e veçantë, sepse jemi ende në lojë. Kishim mundësi për më mirë dhe mund të shënonim më herët. Ndeshja është akoma e hapur. Synimi ynë është të kualifikohemi më tej. Kualitetin e kemi dhe besojmë se do të shkojmë më tej", është shprehur Regi Lushkja.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?