Partia Demokratike nxit SPAK të mos lënë në harresë hetimet ndaj Belinda Ballukut, por të informojë mbi aferën korruptive, siç e quan Gazment Bardhi, investimin në parkun fotovoltaik në Digën e Zadejës. PD paditi Ballukun në dhjetor 2024 për një tender që sipas tyre i shkaktoi një dëm buxhetit prej 5 milionë eurosh.
***
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme, ku i paraqet informacione shtesë në lidhje me kallëzimin për parkun fotovoltaik në Digën e Zadejës, çështje për të cilën akuzon zv/Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Bardhi ka kërkuar informacion mbi ecurinë e hetimeve mbi këtë dosje, për të cilën thotë se janë vjedhur 5 milionë euro në dëm të shtetit përmes kostove të fryra.
“I jam drejtuar zyrtarisht SPAK jo vetëm për ta informuar që e ka lehtësisht të hetueshme aferën e parkut fotovoltaik të digës së Zadejës, por edhe për të na informuar se në çfarë faze janë hetimet mbi këtë çështje. Vjedhja e hapur e 5 milion eurove nuk mund të zvarritet apo lihet në harresë”.
Në dhjetor 2024, Partia Demokratike paditi në SPAK Belinda Ballukun të cilën e akuzon se ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës.
“Lufta kundër korrupsionit qeveritar kërkon vetëm guxim dhe profesionalizëm nga prokurorët e posaçëm. Aferat e shumta të Belinda Ballukut, që janë kryer pa asnjë frikë për ligjin, nuk kanë nevojë për shumë kohë për tu zbuluar. Vetë SPAK ka provuar me veprime konkrete se si çmimet e procedurave të prokurimit fryhen për të vjedhur me dyfishin e kostos”.
Në denoncimin e PD që ndodhet prej gati 9 muajsh në sirtarët e SPAK, thuhet se nën varësi të Belinda Ballukut, KESH lidhi një kontratë për ndërtimin e impiantit fotovoltaik të Digës së Zadejës për 8.13 milionë euro ose sa 97% e fondit limit.
Por sipas paditësve, ndërkohë, një projekt tjetër, thuajse binjak me këtë shtetërorin, u kushtoi investitorëve privatë jo 8 milionë euro, por vetëm 3 milionë euro.
Bardhi thotë se kostoja është fryrë me dijeni të Belinda Ballukut, si përfituesja fundore e 5 milionë eurove.
Në Dhjetor 2024, Partia Demokratike paditi në SPAK Belinda Ballukun të cilën e akuzon se ka miratuar kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës.
Shkresa e plotë e Gazment Bardhit drejtuar SPAK:
I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë,
Me shkresën e datës 04.11.2024, marrë nga ana juaj në datën 06.11.2024, kemi përcjellë një informacion për fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetases Belinda Balluku, me detyrë Zëvëndëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Konkretisht, informacioni i përcjellë kishte të bënte me procedurën e prokurimit publik “Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Digën e Zadejës”, për të cilën në datën 14.08.2023, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (“KESH” sh.a.), ka lidhur kontratën me vlerë 812.702.500 lekë ~ 8.13 milionë euro ose 97% e fondit limit.
Kjo procedurë prokurimi ngrinte dyshime të forta për abuzim dhe paligjshmëri, pasi oferta e kontraktuar nga KESH sh.a., për 1 MWp në Digën e Zadejës është 98.509.000 lekë ~ 985.000 euro për MWp. Ndërsa, oferta ekonomike nga e njëjta kompani zbatuese dhe ofertuese për një projekt tjetër me kërkesa teknike edhe më të larta, e financuar me fonde jopublike, është 365.000 Euro për MWp ose 620.090 euro më pak se vlera e kontraktuar nga KESH sh.a. Pra, nëse projekti “Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Digën e Zadejës”, me kapacitet 8.25 MWp do të ndërtohej me të njëjtën çmim që e njëjta kompani ka kontraktuar në sektorin privat, ky projekt do të kapte vlerën 8.25 MWp x 365.000 euro = 3.011.250 euro ose 5.115.775 euro më pak se vlera e kontratës së lidhur nga KESH sh.a. Ndërkohë që oferta e dytë tregtare për një instalim me kapacitet 10 MWp i dhënë po nga ajo kompani rezulton me vlerën 375.000 Euro për MWp, që do të thotë se nëse do të aplikohej ky çmim për kontratën me KESH sh.a., atëherë vlera e kontratës do të ishte 3.093.750 euro ose 5.033.275 euro më pak se vlera e kontratës së lidhur nga KESH sh.a.
Kostot e fryra fiktivisht i kanë sjellë një dëm prej 5 (pesë) milionë euro Buxhetit të Shtetit, për të cilin dëm shtetasja Belinda Balluku, me detyrë Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe shtetasi Ergys Verdho, me detyrë administrator i KESH sh.a., megjithëse kanë pasur dijeni të plotë për diferencën e madhe të çmimeve ndërmjet sektorit publik dhe privat për shkak se çdo projekt për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese paraqitet në MIE, me vetëdije të plotë dhe dashje kanë lejuar ardhjen e një dëmi të rëndë ekonomik në Buxhetin e Shtetit, duke sjellë përfitime të paligjshme për subjektet private që kanë lidhur kontratën me KESH sh.a.
Në fakt, fiktiviteti, paligjshmëria dhe abuzimi në këtë procedurë prokurimi publik provohen edhe nga një procedurë prokurimi që ka realizuar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për nevojat e veta në tarracën e këtij institucioni me fuqi të instaluar 180 kWp, me vlerë fondi limit 80 mijë euro, ose 444.4 euro/kWp (bashkëlidhur njoftimi i kontratës, termat e referencës dhe specifikimet teknike). Ndërsa, në procedurën e prokurimit publik “Ndërtimi i impiantit fotovoltatik në Digën e Zadejës”, 1 kWp është kontraktuar për 985 euro (540.6 euro më shumë se çmimi i prokuruar nga SPAK), çka do të thotë se kapaciteti 180 kWp i ka kushtuar Buxhetit të Shtetit 177.300 euro. Pra, për të njëjtin kapacitet instalimi prej 180 kWp, ndërmjet prokurimit të realizuar nga SPAK dhe prokurimit të realizuar nga MIE ka një diferencë prej 97.300 (më shumë se dyfishi i vlerës). Nëse procedura e prokurimit publik “Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Digën e Zadejës”, do të ishte realizuar nga SPAK, atëherë kostoja totale do të ishte 8250 kWp x 444.4 euro = 3.666.300 euro ose 4.463.700 euro më pak se vlera e kontratës së lidhur nga KESH sh.a.
Kjo diferencë prej rreth 4.5 milionë euro përbën një dëm të qartë që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin të shtetasve Belinda Balluku, me detyrë Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ergys Verdho, administrator i kompanisë publike KESH sh.a.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 75/a, 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që ky informacion shtesë, së bashku me dokumentacionin përkatës, të bëhet pjesë e fashikullit hetimor, si dhe në mbështetje të nenit 110 të Kodit të Procedurës Penale të informohemi lidhur me ecurinë e kallëzimit të datës 4.11.2024 të dorëzuar nga ana jonë, duke përfshirë veprimet hetimore të kryera deri më tani dhe gjendjen aktuale të procedimit penal.
Komente

Harrove te pyesesh Spakun se dhe ne cfare faze jane hetimet per kriminelin e Elbasanit Gaz Bardhin "qenushin" e Nokes dhe Berishes shpifanjosin!!
Përgjigju