Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun Fier, Gazment Bardhi ishte në një biznes fason, ku zhvilloi një bisedë me punonjëse të këtij sektori, ku dëgjoi shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballet ky sektor.
Sipas Bardhit, në programin e PD është parashikuar që ndihma të mos jepet vetëm për punonjësit duke iu rritur rrogat, por edhe për biznesin, të cilit do iu ofrohen lehtësira fiskale për të përballuar luhatjet e tregut.
“Sektori ka kaluar në vështirësi dhe po kalon vështirësi jo vetëm këtu, por edhe në kompani të ngjashme ku unë kam qenë, kompani si kjo janë mbyllur. Dhe kjo është arsyeja pse ne ekonominë e kemi vënë në qendër të programit. Por jo vetëm me rritjen e pagave tuaja dhe biznesin e lëmë pa mbështetje se kjo do të thotë ta rëndosh më shumë biznesin, ta zvogëlosh dhe t’i shkurtosh vendet e punës. Ndërkohë që ne kemi nevojë për hapjen e vendeve të reja të punës. Prandaj programi parashikon rritje pagash për punonjësit, por edhe lehtësimin e barrës fiskale për biznesin”, deklaroi Gazment Bardhi.
Bardhi apeloi që në këto zgjedhje qytetarët përpara se të shkojnë të votojnë, duhet të shohin gjendjen ekonomike të familjes së tyre dhe të kujtojnë nëse i kanë fëmijët në Shqipëri, apo iu janë larguar në emigracion.
“Besoj se biem dakord që me keq se kaq nuk ka ku shkon më. 2 vite na u premtua mrekulli e na zbrazën xhepat, prandaj na duhet ndihmë që ti japim një shans vetë, por edhe Shqipërisë. Këtë fushatë nuk e kemi për bindje politike, pasi 12 vite na morën frymën. Duhet të mendojmë xhepin dhe ku po e çojmë Shqipërinë. Kështu siç e kanë nisur këta këtë punë, e sigurt është se nuk do ngelet asnjë bashkëmoshatar i imi pas 4 vitesh. Çdo i ri do largohet përveç atyre që punojnë në administratë”, theksoi Bardhi.
Gjatë bisedës me punonjësit e sektorit fason në Fier, Gazment Bardhi kishte edhe një apel për të gjithë qytetarët që të mos dorëzohen përballë presioneve dhe metodva të intimidimit për votën që janë duke u bërë nga pushteti socialist.
“Secili prej jush duhet të zgjedh në mënyrë të lirë. Askush nuk duhet t’u bëj presion për votën, por gjithësecila prej duhet të zgjedh duke parë shtëpinë e vetë. Rrogat kanë mbetur aty ku kanë qenë, ndërkohë që çmimet janë dyfishuar”, u shpreh mes të tjerash Gazment Bardhi.
Gjatë këtij takimi, Bardhi shoqërohej edhe nga kandidati për deputet Gentian Koçi.
Komente
