Deputetët e PD që protestuan një ditë më parë para Parlamentit Europian, vijojnë të jenë në Strasburg, për të zhvilluar takime me zyrtarët europianë atje. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka ndarë një foro nga takimi i tyre me eurodeputetin, Marco Tarquinio, njëherazi kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri.
Bardhi thotë se kanë informuar zyrtarët europianë për situatën që po kalon Shqipëria dhe sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për ta çliruar vendin nga qeverisja e kriminalizuar. Bardhi thotë se qeveria po synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të Sali Berishës, apo edhe eksponentëve të tjerë opozitarë.
“Vizita në Parlamentin Europian ishte një mundësi edhe për t'u njohur dhe për t'i uruar suksese në detyrën e re eurodeputetit Marco TARQUINIO, Kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE- Shqipëri dhe përfaqësues i grupit parlamentar “Progressive Alliance of Socialists and Democrats”.
Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, është e vetmja mënyrë për të ndihmuar për të çliruar Shqipërinë nga një qeverisje e kriminalizuar dhe e korruptuar, që synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të liderit të saj, apo kërcënimin e çdo kundërshtari politik që i shërben interesit publik dhe denoncon korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kryetarin Tarquinio e informuam paraprakisht edhe për qëndrimin tonë për mbledhjen e javës së ardhshme të SAPC në Tiranë, ku opozita do të marrë pjesë, me propozime konkrete që ndihmojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.
Shqipëria europiane është projekti i çdo shqiptari të ndershëm dhe kjo kërkon angazhimin e cilitdo për t'i dhënë fund keqqeverisjes 12-vjeçare së Edi Ramës, si dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme që garantojnë zgjedhjet e lira e të ndershme, luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shkëputjen e lidhjeve mes Qeverisë dhe krimit të organizuar”, shkruan Bardhi.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Agron Gjekmarkaj dhe Flamur Noka.
Lajmi kryesor:
Deputetët e PD-së në Strasburg flasin dhe për Metën, Vokshi: Lidershipin e kemi 'në burg ose arrest shtëpie'! Sulm i paprecedentë për opozitën
SI.E./ReportTv.al