Zgjedhjet që kthejnë Bashën në krye të PD, Bardhi: Nuk ka lista anëtarësh! Opozita është dobësuar, nuk zgjohem me hënë të kacafytem me Berishën

6 Korrik 2023, 13:53| Përditesimi: 6 Korrik 2023, 14:22

  • Share

“Nuk ka zgjedhje më 29 Korrik pa vendim të Këshillit Kombëtar”. Kështu thekson Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi duke thënë se zgjedhjet për kreun e ri të PD nuk do të konsiderohen të ligjshme e legjitime në rast se nuk mblidhet për të miratuar hapjen e garës. Po ashtu, për këtë garë që duket se do të rikthejë Lulzim Bashës në krye të PD, Bardhi thotë se nuk ka ende lista anëtarësh që të bëhet i mundur procesi i votimeve. 

“Kam dijeni për vendimet e Kryesisë sikundër kam bërë të qarta qëndrimet e mia për procedurat që duhet të ndiqeshin për hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të PD. Sa kohë nuk ka një mbledhje të vlefshme të Këshillit Kombëtar të PD nuk mund të ketë zgjedhje të ligjshme e legjitime. Sot që flasim e po afron data e shpallur, mund të konfirmoj se ende nuk ka lista se kush mund të konsiderohen anëtarë të  PD. Për këtë arsye kemi kundërshtuar riorganizimin e partisë por kemi kërkuar certifikimin e anëtarësisë për të shkuar në nivelin më të lartë të PD”, tha Bardhi.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, deputeti demokrat tha se kushdo mund të bëjë takime me mbështetësit por gara mbetet e pahapur. Po ashtu shprehet se gjatë të gjithë kësaj kohe, në vend që demokratët të ishin në betejë me kundërshtarin politik, janë dobësuar vetë.

“Nga pikëpamja statutore, sa kohë nuk ka një vendim legjitim, më 29 korrik nuk ka zgjedhje.  Cilido është i lirë të bëjë takime paralele. Në 1 vit e gjysmë në vend që të ishin fokusuar në betejë me kundërshtarin politik, në fakt jemi dobësuar vetë. Për interesa thellësisht personale, kushdo mund të vijojë në këtë rrugë por unë deklaroj se kjo nuk e ndihmon PD, Nuk e nxjerr nga ngërçi as nuk e forcon apo e bën alternativë qeverisëse. Interesi im është që të bëhet alternativë reale qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërt do kenë fatin e 14 majit, me gjasa me rezultat edhe më të dobët për opozitën”, tha Bardhi.

Një koment e pati edhe për deklaratat e Sali Berishës që i konsideron si të shitur te Rama ata deputetë që nuk i janë bashkuar grupit të tij. Sipas Bardhit, nuk zgjohet me hënë e të kacafytet me opozitën pasi ka synim të bëjë opozitë vetëm me Ramën.

“Kur shikoj që një pjesë prej nesh mendojmë ndryshe ose sipas Berishës jemi të shitur te Rama, e neveris dhe as nuk ja vlen ta komentoj. I kam të qarta qëndrimet për Berishën. Vazhdoj të besoj se kam qenë në të drejtë për qëndrimet por nuk e kam me hënë betejën me të. Si opozitar dhe deputet i PD, kam 1 objektiv, të bëj opozitë me Ramën. Kush do të kacafytet me opozitën që Rama të mbetet në pushtet, mund të vijojë rrugën e tij. Loja e vetme që bëjmë është e demokratëve për të forcuar PD”, tha Bardhi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?