Kronikë

‘Xibraka’/ Gaz Bardhi irritohet me SPAK pas përfundimit të hetimeve për Olsi Ramën: Jeni kthyer në qesharakë, as nuk hetuat fare, po bëni shqiptarët për budallenj

10 Janar, 21:23| Përditesimi: 11 Janar, 00:06

  • Share

Gazment Bardhi është irrituar pasi SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve për dosjen 'Xibraka' dhe njoftoi se nuk ekzistonte asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit. 

Pasi pretendimet e Bardhit u rrëzuan, pasi ishte vetë ai që kërkoi verifikim për përfshirjen sipas tij të Olsi Ramës, deputeti demokrat ka sulmuar SPAK dhe prokurorin Alfred Shehu.

Sipas Bardhit, prokurorët e SPAK janë kthyer në qesharakë dhe pretendon se nuk kanë ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e së vërtetës.

Kjo pasi sipas Bardhit, ata janë nën intimidim, kërcënim e të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por u kërkon prokurorëve me 'lutje' që të paktën të kursejnë të bërit qesharakë. 

Bardhi shkon edhe më tej, duke thënë se prokurorët e SPAK e paskan metodë të punës 'të bërit qesharakë', e madje me këtë rast as nuk paskan hetuar, por thjesht po bëjnë shqiptarët për budallenj. 

Nuk ka 'faj' Bardhi, pasi ky është standardi politik që ka vënë kryetari Berisha, 'vendimet e drejtësisë i pranojmë vetëm kur janë në favorin tonë në të kundërt e sulmojmë.'

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit

Nuk i besova syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar. Ky ishte thelbi i atij njoftimi qesharak të prokurorisë, që e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes së mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në çështjen e laboratorit të Xibrakës. Prokuroria njofton se kishte përfunduar hetimet për dosjen në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë thoshte se kam pezulluar hetimet dhe kam dërguar dosjen e plotë që polica e shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që fshehur para 10 vitesh.

E vërteta është krejt ndryshe, prokuroria as nuk ka hetuar dhe as nuk ka kryer asnjë veprim hetimor, për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar personat e përfshirë por deri tashmë të paidentifikuar. Dhe njoftimi se njëri nuk është, po ne nuk e dimë kush janë, është logjika që përdori para 10 vitesh policia e shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete, 45-vjeç, por nuk i gjente dot emrin.

I kuptoj prokurorët e SPAK se ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por nuk kanë asnjë arsye për tu bërë qesharakë dhe për të na kthyer të gjithëve në memorie se të bërit qesharakë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë e figurë dhe i tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhjet në Elbasan, nuk u gjetën materiale zgjedhore, nxitimi për të amnistuar bandën në pushet hasi në kundërshtimin e vetes vetëm kur tre ditë më vonë në gjykatë deklaroi që po, në makinë u gjetën materiale zgjedhore.

Në këto kushte, duke ripërsëritur pas 4 vitesh veten, unë s’kam asnjë mesazh më shumë veçse të shpreh keqardhje që, për shkak të presionit, ndërhyrjes dhe intimidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin e të pandëshkueshmit për shkak të pushtetit të të vëllait.

Megjithatë, prokuroria kishte shansin të na tregonte që është e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë e të gjithanshëm. Unë sot do të ndalem në një fakt: në seancën plenare të datës 4 prill 2024, ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, zyrtarisht informoi Kuvendin e Shqipërisë se kishte dijeni për identitetin e personit të moshës 45 vjeç, me zë dhe me figurë.

Pyetja ime sot për Prokurorin Shehu është: A e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur mbi informacionin që ai, si ministër i Brendshëm, i përcolli Kuvendit të Shqipërisë, duke deklaruar se njihte personin e moshës 45 vjeç dhe se ky person nuk kishte asnjë lidhje me PS-në dhe Edi Ramën, por kishte lidhje me PD-në?

Mjafton ky fakt për të treguar se nuk ka pasur asnjë hetim apo veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka pasur vetëm një tentativë për t’i bërë shqiptarët budallenj, duke pretenduar se po hetohet, për të dalë sot me atë njoftim qesharak.

Gjithsesi, për të ripërsëritur qëndrimin tim, duke kuptuar që janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje: na kurseni të bërit qesharakë. Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla që, në 5 rreshta, fjalia e parë kundërshton të pestën, apo ajo që thuhet në fjalinë e parë të jetë e ndryshme nga ajo që thuhet në fjalinë e pestë.

Qëndrime të tipit: ‘Ne nuk e dimë kush është, por betohemi para Edi Ramës se Olsi Rama nuk është’. Kaq për sonte se sigurisht, as nuk dekurajohemi. Kësaj çështjeje do t’i shkojmë deri në fund. E vërteta, siç doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen në Elbasan, do të triumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë.


Lajmi kryesor:

SPAK përfundon hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë: Asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?