Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën një ditë më parë, hapen edhe 2 pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

30 Dhjetor 2022, 09:43| Përditesimi: 3 Janar 2023, 11:42

  • Share

Barrikadat janë larguar një ditë më parë ndërsa dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur rreth orës 14:00. Në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje apo dalje të Kosovës. Një ditë më parë u larguan barrikadat e vendosura në veri të Kosovës që bllokuan rrugët për 20 ditë. Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Situata sot paraqitet e qetë. Ndërkohë ambasadori i SHBA në Beograd ka bërë me dije se pas festave të fundvitit do të nisë puna intensive për dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë që të mos përsëritet një situatë e ngjashme. 

Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën pasi Dejan Pantiç iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak ndërsa dyshohet se ka kryer sulm ndaj zyrtarëve kosovarë. Pas arrestimit të tij, në shenjë revolte më 10 dhjetor, u vunë barrikadat nga serbët.

Por me zbutjen e masës, presidenti Aleksandër Vuçiç u takua me përfaqësuesit serb në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën. Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë lirimi i ish-policit Dejan Pantiç, që "njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht", dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.

Ora 14:45
Kosovë/ Lirohen për qarkullim pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak

Pika kufitare në Jarinjë, foto nga REL

Pikat kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku janë hapur për qarkullim. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila njofton se janë hequr të gjitha barrikadat që kanë qenë të vendosur në veri të vendit që prej datës 10 dhjetor në këto pika kufitare, të cilat për pasojë ishin të mbyllura.

“Në veri të vendit largohen barrikadat dhe lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak

Prishtinë, më 30 dhjetor 2022

Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.

Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.

Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.”, njofton policia e Kosovës.

Ora 13:44
Policia e Kosovës bllokon rrugën në kufi të Jarinjës, ende asnjë vendim për pikën kufitare

Policia e Kosovës e vendosur në kufi në Jarinjë ka bllokuar rrugën, pasi nuk është marrë ende një vendim për lirimin e kësaj pike kufitare, ashtu siç është edhe pika në Bërnjak. Lajmi është bërë i ditur nga media në Kosovë, gazeta Express.

Policia njofton se rruga do të qëndrojë e bllokuar deri në vendimin përfundimtar, më pas pastaj rruga do lirohet për qarkullim.  Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë me dije ditën e sotme se pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe se ende nuk ka një deklaratë zyrtare çfarë do ndodhë në vijim.  

QKMK njofton se në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Ora 12:13
Sulm ndaj një shqiptari të Kosovës në Leposaviç, i hoqën targat e makinës

1672389940_ooo600x360.jpg

Vetëm një ditë pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës kanë nisur tensionet në vend. Një burrë, i cili jeton në Leposaviç ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga dy persona. Ai thotë se personat që e sulmuan ishin të maskuar. Ata i kanë hequr gjithashtu edhe targat e makinës. Rasti po hetohet, por situata mund të ketë ndodhur për shkak të tensioneve që ekziston midis dy popujve, paçka se barrikadat janë larguar, por dy prej pikave kufitare qëndrojnë ende të mbyllura , në Bërnjak dhe Jarinjë.

“Leposaviq 28.12.2022 – 00:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar të maskuar, ku të njëjtit i kanë hequr edhe targat e veturës së tij. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

Një ditë më parë u larguan barrikadat e vendosura në veri të Kosovës që bllokuan rrugët për 20 ditë. Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviçit dhe të Zubin Potokut. Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën pasi Dejan Pantiç iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Tensionet në veri të Kosovës nisën pikërisht nga i njëjti emër, pasi Policia e Kosovës e arrestoi pasi dyshohet se ka kryer sulm ndaj zyrtarëve kosovarë. Pas arrestimit të tij, në shenjë revolte më 10 dhjetor, u vunë barrikadat nga serbët.

Ora 07:59
Ambasadori i SHBA në Beograd: Në janar nisim përpjekjet për procesin e dialogut Kosovë-Serbi! Të mos e tolerojmë dhunën dhe njerëzit të lëndohen

1672383678_141473krisf600x360.jpg

Pas 20 ditësh barrikada në veri të Kosovës, ambasadori i SHBA në Beograd paralajmëron se viti 2023 do të nisë me punë intensive për procesin e dialogut me Serbinë. Që prej janarit do të nisin përpjekjet e para, tha Christopher Hill.

“Së pari duhet ta tejkalojmë këtë krizë, të mos lejojmë që të ndodhin gjëra të këqija, të mos e tolerojmë dhunën, të mos lejojmë që njerëzit të lëndohen. Çfarë është e rëndësishme në negociata – dhe unë kam qenë pjesë e tyre shumë herë – është që të shfrytëzohet momentumi drejt një zgjidhjeje politike. Dhe mendoj që do të shohim përpjekje në këtë drejtim në janar, kur të gjithë të kthehen nga pushimet. Mendoj se do të shohim shumë aktivitet me përpjekje për të ndërmarrë hapa politik në procesin e dialogut për të ecur përpara”, ka thënë Hill në një intervistë për mediat në Serbi.

Ndër të tjera ka shtuar se për këtë dialogu do të ketë përpjekje edhe nga vetë BE e SHBA.

“Do të varet nga aftësitë e ndërmjetësuesit, por edhe nga vetë aftësitë e negociatorëve, të cilët duhet të mendojnë se çfarë sjell kjo krizë. Pra, të mendojnë se duke u gjendur në krizë, a do të kenë investitorë. Zakonisht investitorët nuk janë të interesuar të shkojnë në shtete ku ka kriza të përhershme”, tha Hill.

Ndërsa i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh se përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes nuk do të ndalen, duke deklaruar se muaji mars i vitit 2023 është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?