Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar përsëriti edhe një herë se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore, ku paratë e drogës dhe të krimit u përdorën për të blerë vota.
Basha tha se 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, por me gjithë këtë masakër zgjedhore, PD doli me kokën lart. Më tej kreu i PD-së shtoi se ato nuk përdorën mjetet dhe modelin e Edi Ramës, duke mos hequr dorë sipas tij nga mjetet e ndershme.
‘Janë në kujtesën e të gjithëve makinat që endeshin me paratë e drogës dhe korrupsionit. Kemi parë sesi drejtori i Policisë së Shtetit u rreshtua me krimin që blinte vota në Elbasan vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Ka përdorur trafikantët e drogës për patronazhistë. Tom Doshin e ktheu në një makineri votblerëse. Taulant Balla doli personi më i votuar në Shqipëri si prova më e zezë e këtij regjimi. Kundër parave për vota, lejeve për të mbjellë hashash për vota. PD doli me kokën lart nga kjo masakër zgjedhore.
Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur. Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.
Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë. Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.’- tha Basha.
Lajmi kryesor:
Kuvendi Kombëtar i PD/ Nis numërimi i votave për anëtarët e Këshillit! Basha, demokratëve: S'e njohim e s'do e njohim kurrë 25 prillin! Kundërshtarët në parti? Kurrë më nuk 'do e kthej faqen tjetër'
M.Q.//ReportTv.al