TIRANË- Akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha për vjedhje të zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama i cilëson si normale që vijnë nga humbësit, por shton se kjo nuk do e ndalë që të vijojë me zbatimin e Reformave për ta çuar Shqipërinë në majë. E pikërisht, në këtë qëllim që ia ka vënë vetes në mandatin e tretë, Rama ka ripërsëritur ftesën për bashkëpunim drejtuar PD-së dhe kryedemokratit Lulzim Basha. "Lufta e vjetër politike s'është më puna jonë", shtoi numri një i qeverisë, prandaj thekson se dora e bashkëpunim për Bashën do të jetë e shtrirë, ndonëse ky i fundit ka zgjedhur që të mos e marrë parasysh.
"Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja!Mandati ynë i Tretë nuk do t'i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!
Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t'i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët!Lufta e vjetër politike s'është më puna jonë", shkruan Rama.
Ftesa e Ramës është vetëm për PD-në dhe Bashën, apo cilin do kryetar që do drejtojë PD-në këto 4 vite dhe jo për LSI-në apo për partitë e tjera opozitare. Këtë e ka bërë të qartë kryeministri që në krye të herës, që nga fjalimi i tij i fitores pas mandatit të tretë e historik, teksa në mungesë të një përgjigjeje konkrete nga lideri i opozitës, nuk nguron që ta përsërisë. Kjo vjen edhe si një reagim, pas akuzave të artikuluara sot nga kryedemokrati Lulzim Basha. Ky i fundit, nga selia blu tha se zgjedhjet u vodhën nga treshja Rama-Doshi-Rakipi dhe se PD-ja nuk është viktimë.