TIRANË-Lulzim Basha, drejtuesi i demokratëve Euroatlantik, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, iu bashkua mbrëmjen e sotme takimit të kandidatit Fatos Brahja me banorët e Saukut. Gjatë takimit u diskutuan shqetësimet e përditshme të qytetarëve dhe zgjidhjet që sjell programi i koalicionit.
Basha theksoi se shëndetësia do të jetë një prioritet absolut, me parimin “Paraja ndjek pacientin” dhe një luftë të vendosur kundër mafies së barnave. Ai garantoi akses për të gjithë në shërbime publike dhe private pa kosto shtesë, si dhe një listë të re barnash rimbursuese që reflekton realisht nevojat e qytetarëve.
'Me Kartën e Sigurimit Shëndetësor, çdo qytetar do të ketë akses në shërbime shëndetësore publike ose private pa pagesa shtesë. Lista e barnave të rimbursueshme do të rishikohet për të përfshirë ilaçet që u shërbejnë realisht pensionistëve dhe të sëmurëve, duke eliminuar interesat korruptive në këtë sektor', tha ai.
Në fokus ishte edhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave, rritja e pensioneve, ndihma për çiftet e reja dhe mbështetja për nënat. Sipas Bashës, Koalicioni Euroatlantik sjell një vizion të ri për një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
'Prona duhet të shkojë tek i zoti ose, aty ku është e pamundur, të kompensohet me çmim tregu. Konsolidimi i kuadrit ligjor për një zgjidhje përfundimtare të pronave. Rishikimi i hartës së vlerës, duke e bërë atë unike dhe të njëjtë për të gjitha rastet e trajtimit të pronave. Përcaktimi i saktë i faturës financiare për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare. Thjeshtëzimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës', tha ai.
Komente
