Basha, bisedë online me komisionerin e BE, i kërkon ndihmë për ringritjen e Shqipërisë! Hahn: Mbështesim planin për trajnimin profesional

18 Mars 2021, 14:14| Përditesimi: 18 Mars 2021, 16:21

  • Share

Përmes një bisede online, Lulzim Basha i ka kërkuar edhe një herë autoriteteve të Bashkimit Evropian se Shqipëria ka nevojë për mbështetjen e tyre financiare për rindërtimin.

Kreu i PD, Lulzim Basha, në bashkëbisedimin me komisionerin e BE-së për Buxhetin,  shprehu mirënjohjen për mobilizimin e vendeve të unionit, teksa i prezantoi edhe pikën e PD-së për trajnimin e dyfishtë profesional të të rinjve, pasi rrëfeu eksperiencat nga Gjermania, Zvicra apo Austria.

"Ne jemi të vetëdijshëm se ashtu siç kanë theksuar raportet e fundit si të BE-së dhe SHBA-së, ekziston një shqetësim shumë i lartë në lidhje me korrupsionin. Dhe ne e kemi adresuar këtë si çështje me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit. Një nga hapat e parë që po bëjmë është krijimi i Agjencisë Kombëtare kundër Korrupsionit e cila do të ketë pavarësi nga ekzekutivi dhe roli i së cilës do të jetë të trajtojë problemet e korrupsionit në të gjitha nivelet. Sundimi i ligjit, konkurrenca, lufta kundër korrupsionit janë përparësitë tona dhe përmes këtyre përparësive ne do të bëjmë të mundur që investitorët evropianë të kthehen në Shqipëri, të sjellin investimet e tyre këtu.

Me programin tonë, ne jemi duke u përqendruar te trajnimi profesional i dyfishtë, si  dhe te praktikat. Dhe këtu do të na duhet gjithashtu shumë ndihmë nga ju, nga BE, nga Komisioni i BE dhe gjithashtu nga fondet e BE në mënyrë që nga fondet IPA dhe fondet e tjera të mund të bashkohen dhe fondet tona, fondet e Qeverisë Shqiptare për të bërë të  mundur që ne të kemi një hov cilësor. Sepse kriza aktuale siç e dimë të gjithë po bën që vendet e BE-së të rimendojnë zinxhirin e furnizimit. Dhe Ballkani Perëndimor duhet ta shohë këtë si një mundësi të artë”, tha Basha.

Nga ana e tij komisioneri Hahn i tha kryedemokratit se mbështet planin për trajnimin e dyfishtë profesional.

"Në fokusin tuaj në trajnimin e dyfishtë profesional, është diçka që mund ta mbështes plotësisht me gjithë përvojën që kam nga vendi im , por edhe Gjermania, Zvicra, Austri ku kemi shumë përvojë me këto skema të formimit profesional të dyfishtë për shumë vite. Kjo është arsyeja pse në shumë vende shkalla e papunësisë së të rinjve është mjaft e ulët, sepse të rinjtë kanë mundësi të punojnë edhe  gjatë arsimimit të tyre", tha Hahn.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?