Pjerin Ndreu dhe Lulzim Basha

Opinion

Basha dhe Ndreu, dy qëndrime ndryshe në formë, por jo në përmbajtje ndaj policisë

29 Qershor 2021, 19:32| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 19:37

  • Share

Lulzim Basha ka mbrojtur sot disa punonjës të policisë që kanë paditur kreun e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, pas një incidenti në një lokal ditën e mbrëmshme.

Ka kërcitur ky qëndrim i Bashës, i cili për vite e vite vetëm ka sulmuar policinë e shtetit, si gjatë protestave të dhunshme të opozitës në 2019 apo edhe më tej, apo edhe gjatë ngjarjeve të ndryshme në vend.

Nëse kreu i opozitës ka ndryshuar qëndrim, është një kurs i mirëseardhur i politikës në vend, që nuk e përdor shtetin sipas interesave, por jep shembullin që të sillet me standard.

Basha, megjithatë lavdëroi policët se ata janë përplasur me një kryebashkiak socialist, e ndërsa do të kishte një ngjarje ku ndonjë punonjës policie të përplasej përshembull me Voltana Ademin, ai polici do të ishte “bos droge”, “kanakar i krimit”, “shërbëtor i bandave” e gjithçfarë fjalësh të tjera, sidomos i ndihmuar në këtë rast nga “kryeredaktori” i “qytetarit digjital”.

Gjithsesi, koha do të vërtetojë, nëse ky qëndrim i Bashës do të ketë një rezultante parimore.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës, i cili ka qenë për vite një hierark i lartë i Policisë së Shtetit, pasi është nervozuar me dy punonjës policie që e kanë paditur, ndoshta edhe padrejtësisht, është ulur në kompjuter dhe i ka cilësuar “barkderra”. Siç i quante edhe gjeneral Lleshi para do kohësh në një qarkore që dërgoi në të gjitha prefekturat.

Në fakt, i ka quajtur të tillë, pra barkderra thjesht se është prekur në sedër, është zemëruar, është mërzitur dhe nuk ju është duruar. Po pse i lejohet një zyrtari si Ndreu, që për më shumë ka qenë drejtues i lartë i policisë të përdorë këtë standard? Natyrisht që jo!

Një zyrtar shteti, politikan, apo nëpunës i fuqishëm e me fuqi publike, duhet që publikisht të frenohet kur flet për agjenci delikate të zbatimit të ligjit, nga të cilat varet ekuilibri, imazhi dhe organizimi i një shteti.

Nuk ka asnjë politikan në Francë, që të sulmojë xhandërmarinë, përkundrazi, çdo festë apo rast, kazermat e ruajtësve të rendit mbushen me ëmbëlsira e pije nga politikanët, që duan të tregojnë një imazh që përkrahin nëpunësin e shtetit.

Një polic si fuqi ekzekutive ka gjobën apo shoqërimin, edhe nëse ai gabon reagimi i kundërshtimit të një akti, nuk mund të jetë as sulmi verbal, apo horlladisja publike.

Pasi pikërisht ky akt është standardi i politikës shqiptare që sjelljen ndaj një fenomeni apo një institucioni e ka sipas interesit të ngushtë. Ndërkohë kur duhet të jetë modeli i një sjellje ndryshe. Si mund të ishte sjellja e Ndreut. Për shembull: “ishte një incident i pakëndshëm, ku ka pasur edhe kalim kompetencash, por gjithsesi është thjesht një incident. Policia e Shtetit ka mbështetjen time dhe të gjithë qytetarëve për të siguruar zbatimin e ligjit dhe rendin publik”.

Kurse Lulzim Basha, do të duhet të takojë drejtorin e Policisë së Shtetit institucionalisht dhe t’i shprëhë mbështetjen e plotë për të gjithë uniformat blu nga ana e opozitës, e jo ti ndajë ata që votojnë PD se janë të mirë e ata “të majtit” të “drogës e krimit”. Ndryshe qëndrimi i sotëm nuk quhet ndryshim kursi…/Tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?