Tiranë - Policia e Tiranës ka bërë me dije se për protestën e bërë nga banorët e Astirit mbrëmjen e sotme ku u bllokua rruga, janë arrestuar 10 persona mes tyre edhe ish deputeti i PD, Klevis Balliu. Ka qenë pikërisht kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili nxiti protestuesit të dalin në rrugë dhe të bllokojnë qarkullimin, por megjithatë ndaj kreut të PD nuk është marrë asnjë masë.
Me ndryshimin e kodit Penal që ka hyrë në fuqi mbi 10 të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Organizimi, pjesëmarrja, grumbullimi dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
Të arrestuarit janë: Klevis Balli, 30 vjeç, Kujtim Ylli, Bajram Noka, Benard Nezha, Safet Maksuti, Ruzhdi Maqinaj, Artan Muçmata, Dritan Noku, Andi Sharra
Nën hetim: Gojard Duro, Tomor Noku, Ervis Hysmeli, Arten Bushi dhe Çoban Murataj
Sipas policisë po vijon puna edhe për identifikimin dhe kapjen e të tjerë personave që bllokuan rrugën. Policia thekson ndër të tjera se në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës, duke kundërshtuar dhe mos iu bindur thirrjeve të Policisë për të liruar rrugën.
Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i rrugëve duke penguar lëvizjen e lire të automjeteve është vepër penale dhe dënohet me burg. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e keqpërdorimeve, por të protestojnë në mënyrë të ligjshme dhe në vende ku nuk pengohet qarkullimi i automjeteve.
Lajmi kryesor:
'Astiri'/ Opozita 'sfidon' ligjin! Arrestohet Klevis Balliu dhe 9 protestues, Basha: Nëse marrim 'JO' nga BE, ky është shkaku! (VIDEO)
/B.K./ReportTv.al