Dorëheqja e Luzlim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, ka shtuar edhe më shumë 'oreksin' e Sali Berishës për t'i rikthyer në drejtimin e partisë. Por ndryshe nga herët e tjera Berisha ka zbutur tonet duke mos e quajtur më Bashën 'Lul Brava' por flet për forcim të PD. Teksa u bën thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen përmes votës së lirë, Berisha thekson se duhet të njihet kontributi i të gjithëve (përfshirë të tijën) për ringritjen e partisë.
"Bashkimi i demokrateve mbi bazën e kontributeve te tyre është përparësia e PD! Te dashur miq, rikthimi tek vota e lire e çdo demokrati dhe njohja e kontributeve te gjithsecilit është rruga e vetme qe sjell bashkimin dhe me pas fitoren e PD. Ftoj demokratet dhe demokratët kudo qe janë te punojmë se bashku për një Parti Demokratike me te bashkuar, me te forte, me te hapur. Rroftë Partia Demokratike! ", shkruan Berisha.
Ndonëse cilësoheshin 'babë e bir politikë', pasi ishte Berisha që solli Bashën brenda PD dhe më vonë i besoi atij drejtimin e partisë, mes tyre nisi lufta më e ashpër dhe me akuzat më të rënda. Kjo ndodhi pas Sali Berisha u shpall 'non grata' nga SHBA për minim të demokracisë dhe korrupsion duke bërë që Luzlim Basha ta përjashtonte nga partia që vetë Berisha themeloi. Pas këtij akti të Bashës që u cilësua 'thikë pas shpine' nga Berisha filloi 'lufta' dhe akuzat më të ashpra ndaj njëri-tjetrit që solli ndarjen e madhe të PD-së në dy pole mes mbështetësve të Bashës dhe Berishës.
Lulzim Basha dha sot dorëheqjen si kryetar i PD-së, pas 9 vitesh si drejtues i kësaj partie. Vendimi i Bashës për dorëheqjen vjen pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku jo vetëm nuk fitoi asnjëra nga 6 bashkitë, por u rendit edhe forcë e tretë.