Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës për kryedemokratin Lulzim Basha nuk ka kthim pas. Basha theksoi se aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA nuk mund të cenohet dhe se është gjithmonë në punë në interes të demokratëve dhe shqiptarëve. Edhe pse Berisha ka nisur aksion politik ‘Basha Ik’ brenda PD kundër këtij vendimi ku do të mbledhë edhe 1500 firma për referendum dhe ka hedhur akuzat për paaftësinë e Bashës si lider për të çuar partinë në fitore, për kryedemokratin nuk ka më lëkundje nga vendimi i tij i prerë i marrë në zyrën e tij në selinë blu.
“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë, në interesin më të mirë të së nesërmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe për këtë arsye ne së bashku me të gjithë shqiptarët që me zi po presim ndryshimin, do të bëjmë gjithçka për ta realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas!”, tha Basha.
Një ditë më parë Berisha e quajti Bashën ish lider të thyer, që nuk njeh normat dhe parimet e partisë Demokratike. Sipas Berishës, Basha spastroi nga partia edhe të gjithë njerëzit me të cilët bashkëpunoi dikur ish kryeministri.
Votëbesimi i qeverisë së re ‘Rama 3’ dhe programit të saj me 77 vota pro, dhe 52 vota kundër nga deputete e PD ka sjellë sërish akuzat e përsëritura të kryedemokratit Lulzim Basha. Për kryedemokratin qeveria e re është e paligjshme dhe se PD do të punojë që të largojë ‘armiqtë’ nga salla e Kuvendit dhe të rikthejë demokracinë e munguar shqiptarëve. Duke e cilësuar qeverinë e re si PPP-në e radhës që po plaçkit shqiptarët, kreu i PD shprehet se do të jenë demokratë me të gjithë shqiptarët që duan ndryshimin që të risjellin sovranitetin vendit.
“77 votat e sotme, janë formalizimi i PPP-së, Rama-Doshi-Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe të Dosjes 339 të Shijakut bashkë me Rahman Rrajën të njohur ndërkombëtarisht për rekordet e tij kriminale, janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptarë, janë fatkeqësia kombëtare. Qëllimi i kësaj PPP, i kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre, të mbajnë pushtetin në kurriz dhe në kosto të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për t’i larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit dhe për t’i kthyer shqiptarëve demokracinë, parlamentin dhe qeverisjen e vullnetit të tyre të lirë. ”, tha Basha.
Pas një seanca mbi 20 orë, Edi Rama ka marrë votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës. Me 77 vota pro, 52 kundër dhe 1 abstenim është miratuar qeveria e re dhe programi i tij qeverisës. Votat kundër u dhanë nga deputetët e PD, ndërsa LSI, aleatët e Bashës dhe Berisha nuk votuan kundër. I vetmi deputet që abstenoi ishte Agron Çela i LSI-së, e ndërsa pjesa tjetër nuk ishin të pranishëm në sallë. 77 votat pro e marra për qeverinë e re janë të PS dhe PSD.