Lulzim Basha

Politikë

PD depoziton nesër në Kuvend tre amendamentet, Basha: Duhen për të nxjerrë vendin nga kriza politike! Bardhi: Propozimet nuk janë për interesin e opozitës

19 Tetor 2021, 18:35| Përditesimi: 19 Tetor 2021, 20:17

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike do depozitojë ditën e nesërme në Kuvend, tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. Ky vendim u bë me dije pas mbledhjes me dyer të mbyllua që kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi me anëtarët demokratë të Komisionit të Ligjeve.

Report Tv ka zbardhur detaje nga diskutimi i liderit të opozitës me përfaqësuesit e këtij komisioni. Burimet bënë me dije për gazetaren Danjela Maloku, se Basha ka deklaruar se tre amendamentet janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike.

"Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me për kthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Pra, nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin.

Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjedhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vettingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por çdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit", tha Basha.

Në përfundim të mbledhjes, nuk ishte Basha që foli për gazetarët, por sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili përmes një deklaratë për mediat informoi mbi vendimin që u mor në mbledhje.

"Ne vendosëm që ditën e nesërme të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda, vettingun e politikanëve, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore", u shpreh Bardhi.

Bardhi konfirmoi se Partia Demokratike ashtu si ka bërë gjithmonë, ka informuar edhe partnerët ndërkombëtar për këtë propozim.

“Pa diskutim që ka patur, ka dhe do të ketë një proces informimi për çdo propozim të Partisë Demokratike, por e rëndësishme është që ne nesër do të depozitojmë të tre amendamentet”, tha më tej ai.

Ditën e sotme PD bëri të ditura propozimet për ndryshimet kushtetuese që lidhen me reformën territoriale dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re. Ndryshimet fokusohen në zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut 2020, rikthimi i koalicioneve parazgjedhore dhe  rikthimi i komunave në ndarjen territoriale me funksionin e saj.

Ora 18:53
Bardhi: Nesër depozitojmë në Kuvend tre amendamentet, këto propozime nuk janë për interesin e PD-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka bërë me dije se nesër do të depozitojnë në Kuvend tre amendamentet e plota kushtetuese.

"Grupi parlamentar i PD vendosi që të depozitojë disa amendamente kushtetuese për tre çështje madhore në interes të qytetarëve. Së pari pastrimin e politikës nga të korruptuarit dhe individët që kanë lidhje me krimin e organizuar, rikthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve përmes ndryshimeve kushtetuese, së treti një reformë të re territoriale që afron më shumë shërbimet tek qytetarët autorizoj anëtarët në komisionin e ligjeve si grup për të finalizuar amendamentet. Ne vendosëm që ditën e nesërme të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda, vettingun e politikanëve, reformën territoriale dhe reformë zgjedhore. Të treja çështjet nuk janë për interesin e Partisë demokratike, por për shqiptarët. Detyra  e opozitës është të ofrojë zgjedhje për hallet e shqiptarëve. Ka ardhur momenti që të sigurohet që në institucionet më të larta shtetërore, në parlament në qeveri dhe institucionet kushtetuese të kemi persona të palidhur me krimin dhe nuk janë të korruptuar ose të kenë vënë pasuri të paligjshme për shkak të funksionit. Nesër do të njiheni dhe me propozimet tona të plota. Grupi i punës sot ka autorizuar depozitimin e amendamenteve nesër", tha Bardhi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?