Kryedemokrati Lulim Basha ka nisur një tur me diasporën, ndërsa në takimin e parë u ndal në Lombardi të Italisë. Në këtë takim me emigrantët shqiptarë, kreu i PD e vendosi theksin tek vota e emigrantëve, që sipas tij kasta e vjetër politike po bën një komplot për të mos realizuar votimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Cila është arsyeja miqtë e mi që tre palë zgjedhje parlamentare dhe 3 palë zgjedhje lokale, Rama premtoi votën për shqiptarët jashtë Shqipërisë, vota e diasporës. Edhe sot e kësaj dite mbetet një premtim i parealizuar. Ju jeni shembujt që shqiptarit nuk i mungon asgjë për të arritur standardin europian, do të thotë barazi para ligjit dhe fundi pandëshkueshmërisë. Nuk mund të tolerojë një shoqëri me dy standarde. Nëse integrimi i Shqipërisë në BE është siç deklarohet qëllimi më i lartë, dorën më së pari do ia shtrijmë shqiptarëve në BE. Nuk ndodh kjo as në qeverisje, as në ekonomi. Mbi 160 mijë sipërmarrës shqiptarë punojnë me kokën lart dhe japin kontribut në ekonominë italiane, por e kanë të vështirë të fusin këmbën në ekonominë e cunguar shqiptare”, tha Basha.
Sipas Bashës nuk ka asgjë të pamundur për realizmin e votës së emigrantëve, por politikanët e vjetër e shohin votën e shqiptarëve jashtë si një rrezik esencial.
“Nuk ka asgjë të pamundur për të realizuar votën tuaj këtu ku jetoni, në kushte të plota të integritetet dhe lehtësisë për ta hedhur këtë votë, por ka një komplot të kastës së vjetër politike, të atyre që gjithë ditën e gjithë natën e shohin diasporën shqiptare, emigrantët shqiptarë me vlerat që ju përfaqësoni, me parimet tek të cilat besoni, sepse përmes këtyre parimeve të jeni të qartë përpara, në Itali, Greqi, në Amerikë, në Angli e kudo si një rrezik esencial për lojën e tyre të vjetër.
Për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç është, madje duke e plakur e duke e pakësuar ditë për ditë, për sa kohë mbahet nën kontrollin e duarve dhe mendjeve të vjetra politike. Kjo është arsyeja pse më pak se një vit para të katërtave palë zgjedhje që kur premtoi votën e emigrantëve nga kjo sallë, ky kryeministër por jo vetëm ai i druhen zërit tuaj, i druhen vendimit tuaj, i druhen gjykimit tuaj, i druhen votës tuaj. Qëllimi është i qartë, t’ju bëjnë të hiqni dorë nga Shqipëria”, tha Basha.
Basha shoqërohej në këtë vizitë nga sekretari i përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj dhe dy nënkryetarët Roland Bejko dhe Kreshnik Çollaku.
Lulzim Basha në një takim me emigrantët shqiptarë në Lomabrdi, paraqiti 4 prioritetet e Partisë Demokratike. Nga listat e hapura, vota e emigrantëve, votimi dhe numërimi elektronik, si edhe Shqipëria 1 zonë zgjedhore, tha Basha se janë 4 synimet e PD për Reformën Zgjedhore.
Nga Lombardia, Basha u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen përmes vlerave, për të ndërtuar një alternativë për të mundur Ramën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
"Përkushtimi ynë është i plotë dhe i qartë. Së pari për listat e hapura, apo votën preferenciale. Do t’i mundësojmë edhe një herë qytetarëve tanë që të jenë ata, të jeni ju që vendosni kush ju përfaqëson në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo një grusht kryetarësh partish. Barazia e votës që vota e çdo shqiptari të peshojë njësoj. Votimi dhe numërimi elektronik si një parakusht edhe për një votë efektive të diasporës. Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, rikthimi i gjysmës së Shqipërisë, i gjysmës së shqiptarëve që janë jashtë Shqipërisë në një korpus vendimmarrës politik, duke u dhënë pa asnjë hezitim të drejtën Kushtetuese duke e bërë atë efektive përmes votës së diasporës.
Këto janë qëndrimet tona miq, por unë dua të jem i sinqertë me ju. Më pak se një vit që na ndajnë nga zgjedhjet, faktorët kryesor që e mbajnë peng Shqipërinë, nuk i kemi në krahun tonë në asnjë prej këtyre synimeve, e në veçanti nuk i kemi në krahun tonë sa i takon votës së diasporës. Ndaj thirrja ime është që të bashkohemi në këtë betejë, ka akoma kohë. Dhe ekuacioni është i qartë: nga njëra anë janë shumica dërrmuese e shqiptarëve, e vëllezërve dhe motrave tuaja, e familjarëve tuaj të cilët duan t’ju kenë ju zërin tuaj, votën tuaj në ngritjen e parlamentit të ardhshëm dhe qeverisë së ardhshme të Shqipërisë pranë.
Edhe nga këtu në Milano dua të përsëris të njëjtën thirrje, gjithsecili duhet të hedh të paktën një hap pas nga interesi personal, për interesat e Shqipërisë, për interesat e shqiptarëve, për interesat në këtë rast të demokratëve, po do të thoja të të gjithë shqiptarëve. Dhe në qoftë se bashkohemi përmes vlerave dhe jo egove personale, duke u bashkuar për të nesërmen dhe për të lënë pas të shkuarën me të mirat dhe të këqijat e veta, jam i bindur që një vit mjafton për të ndërtuar alternativën dhe për t’i dhënë çdo shqiptari arsyen për të shkuar për të ndëshkuar Edi Ramën me votë, e për të sjell një qeveri demokrate, europiane, pro perëndimore, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve", u shpreh Basha.