Sali Berisha dhe Azem Hajdari

Basha mesazh Berishës për nxjerrjen e Hajdarit në pritë pabesisht?!

12 Shtator 2023, 19:23| Përditesimi: 12 Shtator 2023, 20:07

  • Share

Plot 25 vite më parë, në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, u vra para selisë së PD lideri i Dhjetorit Azem Hajdari, përvjetorët e rënies së të cilit përkujtohen çdo vit nga demokratët.

Nuk ka asnjë dilemë se kush e tërhoqi këmbëzën për t’i marrë jetën Hajdarit, e kanë pranuar dhe vetë autorët por dhe familjarët e tyre. Duke shtuar se doli rastësisht me pistoletë në dorë Hajdari, dhe ndodhi ajo që ndodhi, pasi nuk kishin ardhur për të.

Ndonëse në qeli, Jaho Salihi(Mulosmani), i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e shekullit, më se njëherë është shprehur se ka qënë thjeshtë me Fatmir Haklajn në makinë, dhe as që kishte lidhje me vrasjen, por dhe ka nënvizuar se “Hajdari i ngeli në dorë autorit”, pasi nuk kishte pasur askush qëllim të merrej me të.

Ndonëse dilema se kush e vrau personalisht është zgjidhur, mbetet ende enigmë se kush e nxori në pritë Azem Hajdarin, i cili sapo ishte kthyer nga një takim partiak në Myzeqe. Kush i tha se ‘është parkuar një makinë e dyshimë afër dritares së së kryetarit të PD, dil e shih njëherë”! Doli dhe nuk u kthye më kurrë i gjallë.

Kjo është enigma që nuk është zgjidhur ende në mënyrë juridike, pasi të gjithë shqiptarët e dinë, madje dhe njerëzit më të afërt e kanë akuzuar, se ishte Sali Berisha ai që e nxori në pritë Azem Hajdarin, pritë në të cilën i morën jetën. Arsyet janë diskutuar shumë, por dihen ama.

Ka shumë njerëz që mund të flasin por që Berisha u kujdes shumë që të mbyllnin gojën, nga ish shoqëruesi i Azemit, Zenel Neza, e deri tek prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk u lejuan të afroheshin për ditë me radhë për të gjetur ndonjë provë në vendin e ngjarjes.

Dhe celulari i Hajdarit, në të cilën ishte fiksuar në telefonata e fundit që e nxori jashtë selisë së PD natën fatale, nuk është gjendur as sot e kësaj dite. Madje as u kërkua që të gjendej, heshti dhe prokuroria në atë kohë. Dikush u kujdes që ai celular që mbante ‘çelësin’ e zbardhjes së vrasjes së Hajdarit, të zhdukej njëherë e përgjithmonë. Sikurse u zhduk.

Por dhe ish shoqëruesi i plagosur i Hajdarit, Zenel Neza, një ish zyrtar i lartë i SHIK-ut të Gazidedes, pasi u ‘rrëfye’ tek Berisha i cili regjistroi bisedën nga fillimi në fund me diktofon në dorë tek spitali ushtarak ku ishte shtruar, mbylli gojën e respektoi ‘kodin e heshtjes’. Si në ligjet e mafies, për të marrë si shpërblim lëvizjen jashtë vendit dhe fitimin e azilit politik. Askush nga drejtësia, me gjithë thirrjet këmbëngulëse, nuk mori mundimin ta pyesë Nezën se çfarë dinte për vrasjen e Hajdarit, çfarë i tha Berishës që e regjistroi personalisht me diktofon në dorë. Heshtje.

Askush nuk e mori mundimin që të zbardhë vrasjen e Hajdarit, të cilësuar si vrasja e shekullit, ndonëse ishte Berisha ai që dha për ambasadën amerikane në atë kohë gjithë shpjegimin e tij, duke futur emrat e atyre që kishte inat si pjesëmarrës në këtë vrasje, që nga Fatos Nano, tek Fatos Klosi e Skënder Gjinushi e deri tek ish truproja e tij Izet Haxhia familjarisht dhe Jaho Salihi Mulosmani. Futi dhe një ish drejtor policie, sa për t’i dhënë ‘ngjyrim shtetëror’ vrasjes së Hajdarit, ndërsa u betua se sa të vinte në pushtet do të zbardhë vrasjen e liderit të Dhjetorit.

Pas kësaj të gjithë e dinë historinë, tentoi një grusht shteti më 14 shtator ku sulmoi dhe pushtoi kryeministrinë dhe RTSH-në, dhe u tërhoq vetëm atëherë kur një telefonatë nga përtej Atlantikut, e detyroi të rikthehej në ‘vendstrehimin’ e tij, selinë e vjetër të PD. Por pas kësaj kohe, shkaktoi vrasjen e qindra djemve në Tropojë, çoi gati në shuarje familjen e Fatmir Haklajt, njeriun që akuzon për vrasjen e Hajdarit e krime të tjera por pa ia përmendur kurrë emrin, duke e detyruar pjesën e mbetur të familjes të largohej drejt vendeve nordike dhe të fitonin azilin politik.

Me ardhjen në pushtet, Berisha ‘rehabilitoi’ Fatos Nanon, duke ia ‘lënë’ vrasjen e Hajdarit në kurriz Skënder Gjinushit dhe ish kreut të SHISH Fatos Klosi. Ndërkohë që familja Haklaj, plaku i të cilës disponon dhe kasetën e dhënë nga Hajdari në të gjallë që e garantonte se gjithë e keqja i vinte jo nga ai por nga Berisha, e akuzon ish kryeministrin si njeriun që nxori në pritë ish liderin e dhjetorit, njeriun që urdhëroi vrasjen e djemve të Haklajve dhe të afër 200 djemve të tjerë në Tropojë.

Ka dhe një akuzë penale në organet ligjzbatuese nga familja Haklaj për Berishën, e cila as sot e kësaj dite nuk është marrë në dorë nga drejtësia. Megjithëse dhe vetë ish truproja e Berishës, Izet Haxhia ka hedhur akuzat më të rënda ndaj ish shefit të tij, deri për terrorizëm ndaj ambasadës amerikane. Por drejtësia hesht kur bëhet fjalë për Berishën. Ka heshtur që në krye të herës për të gjitha akuzat ndaj tij, hesht dhe sot, duke mos guxuar t’i përmendë as emrin.

Sali Berisha qëndroi në pushtet për 8 vite me radhë si kryeministër, dhe as e ngriti njëherë për diskutim nxitjen e hetimit për vrasjen e Hajdarit, para selisë së PD. Megjithëse të gjithë e dinë se drejtësia nuk bënte asnjë hap pa miratimin dhe urdhërin e tij. E vertetuar kjo me ngjarjet e përgjakshme më vonë, gjatë qeverisjes së tij tetë vjeçare, që nga “Gërdeci” e deri tek “21 janari 2011”, të cilat mun të quhen të mbyllura me këtë drejtësi. Madje Berisha e kishte bezdi dhe kur ia përmendnin, kishte bezdi dhe sa herë vinte 12 shtatori, përvjetori i vrasjes së Azemit, në të cilin ishte i detyruar të shkonte, por që shihej si një ‘vrasës që kthehej në vendin e krimit’.

Për hir të së vërtetës Hajdarin nuk e ka dashur kurrë, e ka përjashtuar nga grupi parlamentar, më shumë qëndroi jashtë grupit të PD se brenda tij, e ka përjashtuar nga forumet drejtuese të PD, vetëm e vetëm se Azemi guxoi dhe iu kundërvu me atë deklarim publik me statusin e kreut të komisionit parlamentar për Rendin e SHISH, se është zhdukur dosja e spiunëve të UDB. Ku akuzohet, se për rrethana të ndryshme ka qenë agjent i dyfishtë dhe Berisha.

Kjo me sa duket i vuri ‘kapakun’ marrëdhënieve mes tyre, dhe Berisha e shihte Azemin si rrezik potencial për karrierën e tij. Berisha tërë jetën e tij politike i ka mbajtur nën kontroll vartësit e tij por dhe kundërshtarët përmes dosjeve dhe ‘ceneve’ që ua kishte në kasafortë, dhe për të ishte e pakonceptueshme që të mbahej nën kontroll nga Hajdari për dosjen e UDB dhe të Sigurimit të Shtetit.

Gjatë këtyre 25 viteve, janë thurur teori konspirative se kush e nxori në pritë Azem Hajdarin, janë ‘regjistruar’ me dhjetëra akuza dhe nga njerëz të afërt me Berishën, se ishte pikërisht lideri historik i PD ai që e nxori në pritë ish liderin e Dhjetorit. Shqiptarët nuk janë budallenj, pasi mund ta bëjnë fare lehtë analizën: Kush ishte i interesuar për ‘heqjen qafe’ të Hajdarit.

Mazhoranca e asaj kohe që kryesohej nga Fatos Nano nuk kishte pikë interesi për të ekzekutuar Hajdarin, të cilin nuk e donte as vetë lideri i PD Sali Berisha. Madje socialistët në pushtet e donin dëshpërimisht të gjallë Hajdarin, thjeshtë e vetëm që të kishte konflikt me Berishën. Ishte një mazhorancë e madhe PS në atë kohë, me shumë numra dhe Hajdari nuk ua rrezikonte askund pushtetin.

Ndaj socialistët nuk ishin të interesuar për vrasjen e ish liderit të dhjetorit, sepse sikurse ndodhi, mund të rrëzoheshin nga qeverisja. Fatos Nano dha dorëheqjen, dhe të ishte për mazhorancën e asaj kohe, Berisha e bëri grushtin e shtetit, e rrëzoi qeverinë. Mori pushtetin. Por ndërhyrja e partnerëve ndërkombëtarë e detyroi Berishën të tërhiqej nga pushtimi i institucioneve dhe të kthehej në ‘strofullën’ e tij, selinë e PD, të rrethuar nën mbrojtjen e tankeve të rrëmbyera nga mbështetësit e tij.

I interesuari i vetëm për eleminimin e Hajdarit sipas të gjitha analizave ishte vetë Berisha, i cili kishte synimin për pastrimin e rrugës së tij politike në krye të PD, pa asnjë rival nëpër këmbë. Azemi ishte rival i fortë, mbante ende ‘kostumin’ e liderit të Dhjetorit, themeluesit të PD dhe drejtuesit të parë të saj. Por dhe si udhëheqës i studentëve. Dhe Berisha e dinte këtë.

Pra, vetëm ai ishte i interesuar për të shfrytëzuar të gjitha rrethanat për eleminimin e Hajdarit. Që nga nxjerrja në pritë e deri tek heshtja për të gjitha paralajmërimet për vrasjen e Hajdarit. Dhe një rrugë e dy punë, hiqte ‘qafe’ Hajdarin si rival, dhe gjente pretekstin për rrëzimin e Nanos me grusht shteti. Pasi Berishës i ishte tiposur se socialistët e larguan më 1997 me armë nga pushteti.

Me sa duket dhe Lulzim Basha, ‘biri’ politik i Berishës, por dhe armiku më i madh i tij aktualisht pasi i bëri atë që s’ia kishte bërë askush në gati 30 vite, e flaku nga PD, pra Basha ka dashur t’ia kujtojë Berishës pabesinë e nxjerrjes në pritë të Hajdarit për ta vrarë para selisë së demokratëve. Ia ka kujtuar pikërisht në përvjetorin e 25 të vrasjes së Hajdarit, përmes një mesazhi të ‘koduar’, në kuadër dhe të luftës politike për lidershipin e opozitës, të kuptohemi, tashmë që PD u nda.

“25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhnjimin e lirisë mbi diktaturën. Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit.

Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për t’i shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist. Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar”, reagon Basha, pikërisht në momentin kur Berisha ishte për homazhe tek vendi ku u vra Hajdari 25 vite më parë.

Duke i kujtuar se u vra pabesisht, njeriu që ishte i vendosur për të luftuar kundër fuqive në dukje të mëdha, Berishës, dhe që ishte për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo ngritjen e jetës së luksit dhe pushtetit personal për familjet e reja udhëheqëse. Këto thotë Basha, që janë thjeshtë një artikulim i përqasur i akuzave të tij tashmë dy vjeçare ndaj Berishës, për sakrifikimin e PD dhe demokratëve për hallin të tij personal si ‘non grata’, për ta përdorur PD si ‘mburojë’ që të mbrohet nga drejtësia ndaj akuzave për korrupsion dhe krime që ka mbi kurriz. Dhe Berisha ka vërtetë akuza të rënda mbi kurriz, që presin të hetohen nga SPAK. Nëse i heton ndonjëherë.

Por rëndësi ka që Basha ka nisur të flasë konkretisht tashmë, duke paralajmëruar që me shpresë të Zotit do të rrëfehet dhe për fakte të tjera rënduese për Berishën, për kohën që kanë qënë bashkë në qeverisje apo më pas dhe në opozitë. Kjo do ishte një ndihmë për vetë PD, drejtësinë dhe shqiptarët, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. Të presim nëse Basha do t’i shkojë në fund këtij rrëfimi, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Berishën, armik për jetë e ka dhe do ta ketë dhe pa këto rrëfime publike apo para drejtësisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?