Basha mesazh demokratëve nga Dibra, sulmon 'Shtëpinë e lirisë': Mos bini pre e sajesave dhe marifeteve të reja, votoni PD

23 Shkurt 2022, 11:46| Përditesimi: 24 Shkurt 2022, 17:32

  • Share

Lulzim Basha ka sulmuar koalicionin "Shtëpia e Lirisë" ku u bëri thirrje demokratëve që të mos bien pre e sajesave dhe marifeteve por të votojnë demokratët e vërtetë. Nga Dibra ku prezantoi kandidatin e PD për këtë bashki Luan Haka, Basha kërkoi nga dibranët që të votonin "birin e dibranëve"  për ta bërë qytetin një vend më të mirë dhe për t'u shërbyer njerëzve.

"Luan Haka është kandidati më i mirë për Dibrën.  Ai është pjesë e Dibrës. Jam krenar që është kandidat I Partisë Demokratike.  Ai do kujdeset për Dibrën, për dibranet. Luani do ta bëjë Dibren nje vend më të mirë për të gjithë pavarësisht se është i djathtë apo i majtë, për ti shërbyer njerëzve dhe familjeve. Dibra do votojë Partinë Demokratike, sepse dibranët nuk bien pre e sajesave dhe marifeteve të reja", tha Basha.

Basha ka sulmuar edhe Ramën lidhur me inceneratorët, duke thënë se dibranët duhet të refuzojnë modelin e korrupsionit.

"Ka vetëm një rrugë për dibranët që mos të kenë për kryebashkiak modelin e Edi Ramës, të inceneratorëve, modelin e korrupsionit të Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë:  Vota për Luan Hakën. Siç po dëshmojnë inceneratorët, që është një nga aferat korruptive që po u merren shqiptarëve. Janë hequr nga tryezat, për të pasuruar një grusht njerëzish. Ishte PD, ju, demokratët, qëndresa jonë, kauzat tona që bënë të mundur daljen e së vërtetës dhe së shpejti drejtësia do të veprojë. Shqiptarët nuk e kanë hak këtë varfëri dhe mjerim. Vjen prej një bande në krye të qeverisë. Ata meritojnë diçka tjetër, askush prej nesh nuk vjen me iluzione, por shpresë dhe ndryshim. Gjithkush mund ta ketë shpresën për të ndërtuar një të ardhme për fëmijët e tyre, duke e arsimuar si ato që kishim dhe do të kishim edhe në Peshkopi.   Sot jam këtu për t’u zotuar para jush, dibranëve të mençur, të zotë e patriot, që nuk e keni lëshuar Dibrën, se ndryshimi është dhe mbetet misioni 1 i PD dhe i imi. Ndaj në krah të Luan Hakës dhe me gjithë shqiptarët le ta bëjmë ndryshimin të mundur duke nisur me votën dibrane më 6 mars, për Luan Hakën”, tha Basha.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?