TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një status në Twitter pas vendimit të opozitës për të bojkotuar seancën e parë plenare këtë sesion për t’u zhvendosur në Shkodër ku zhvilloi një mbledhje të cilësuar të jashtëzakonshme pas ngjarjeve të fundit kriminale në qytetin verior.
Rama ironizon me Bashën duke u shprehur se kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër, kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër, por shton se duhet të bëjmë dhe pa të.
Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren. S'kemi ç'i bëjmë, duhet të bëjmë dhe pa të.
Edi Rama
Grupi i PD dhe LSI vendosën që të mblidhen paralelisht në Shkodër në të njëjtin orar që po zhvillohej seanca plenare në Tiranë në orën 17:00. Lideri i PD u shpreh se Shqipëria ndodhet në gjendje lufte, pasi po vriten biznesmenë dhe po kërcënohen gazetarë. Kryetari i PD Lulzim Basha denoncoi se në Shkodër në javët e fundit u rrëmbyen edhe dy fëmijë, por u liruan, pasi grupet kriminale morën gjobën që kishin vendosur.
Në dy muaj, në Shkodër ka 6 të vrarë dhe 2 të zhdukur, ngjarje këto ende pa autorë dhe të pazbardhura. Demokratët akuzojnë qeverinë si të lidhur me bandat e Shkodrës. Opozita pretendon se është qeveria që i mbështet këto banda.
Komente
