Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me shqiptarët në Selanik të Greqisë.
Në fjalën e tij, Basha deklaroi se zgjedhjet e 11 majit janë një moment vendimtar për të ardhmen e vendit. Basha ka thënë se sipas tij, kryeministri nuk mban asnjë përgjegjësi për problemet e vendit.
“Kërcen Rama dhe shoqet e tij nga belaja që mos t’i pyesim, po shokët ku i ke, o Ramë? Te 313! Te 313 i ka shokët që me dorën e tij që i ka zgjedhur njëri pas tjetrit. I ka bërë zv/kryeministër, ministra, zv.ministra, deputetë, kryetar bashkie, drejtor të përgjithshëm dhe të gjithë janë kapur në rrjetën e SPAK. Me qëllim një grusht njerëzish. Edhe të gjithë tani janë shkëputur nga çdo lloj lidhje me shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që ndodhen. Vjen këtu dhe na rrëfen përralla nga historia osmane. Apo të tjera fabula, si e si që mos të japë llogari. 35 vjet, por 12 vjet në veçanti, ku të cilët kanë kaluar njëri pas tjetrit dhe kanë pasuruar 313-n. Edhe pyetja është: përveç se na vjen dhe na thua versionin tënd të historisë, çfarë ke bërë për këta njerëz? Me çfarë ndjese vjen para tyre dhe çfarë ndjese ke për ta. “-tha Basha.
Basha tha se edhe katër vite me këtë qeveri do të thotë më shumë korrupsion, më shumë zbrazje të vendit dhe më shumë hajdutëri me shokët tek 313.
Basha më tej tha se Koalicioni Euroatlantik ofron një program konkret për lehtësimin e barrës financiare dhe ndaljen e largimit masiv të shqiptarëve. Ai theksoi se vota për numrin 4 është një votë për ndryshimin.
“Të votosh që më shumë të rinj të largohen nga vendi, më shumë të rinj ta braktisin familjen e yre, më shumë të papunë t’i bashkohen ushtrisë së pafund të emigrantëve dhe më pak shqiptarë të jenë në gjendje të punojnë e të jetojnë me djersën e ballit në Shqipëri. O me Edi Ramën, o me Shqipërinë, o me Edi Ramën o me famlijet tuaja, o me Edi Ramën, o me fëmijët tuaj. Kjo është zgjedhja më 11 maj dhe unë e di e shoh dhe e prek kudo se shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë ndarë mendjen të ndalet pas 12 vitesh nga Edi Rama, nga ndëshkimet dhe korrupsioni i tij.
Zgjedhja nuk është të votosh Partinë Demokratike të marrë peng nga Ilir Meta dhe Elvis Roshi, zgjedhja është të votosh për fëmijët e tu, për familjen tënde, Koalicionin Euroatlantik, numrin 4, programin tonë, kandidatët tanë. Sepse ne nuk vijmë në Selanik për turizëm elektoral, as për populizëm, as thjesht për t’ju marrë votën e për t’ju mos ua parë bojën deri në zgjedhjet e ardhshme. Ne vijmë sepse e ndjejmë dhimbjen tuaj, e prekim dhimbjen tuaj edhe kur nuk jemi bashkë tek familjarët tuaj në Shqipëri. Dhe kështu së bashku me këtë ndjeshmëri kemi formuluar një program i cili në radhë të parë synon t’ju çlirojë ju nga barra financiare që mbani mbi supe tuaja për fëmijët dhe familjet tuaja në Shqipëri”, tha Basha
Gjatë takimit me shqiptarët në Selanik, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, foli për disa nga pikat e programit për mbështetjen e familjeve të reja dhe pensionistëve. Ai tha se çdo vit 30 mijë çifte të reja do përfitojnë kredi të lehtësuara për banesë dhe bonuse për fëmijët, deri në 20 mijë euro për fëmijën e tretë.
Basha theksoi se prioriteti është edhe kthimi i dinjitetit të pensionistëve, ku pensioni minimal do jetë 250 euro dhe ai mesatar 450 euro. Po ashtu, ai tha se për pensionistët me të ardhura nën 300 euro, muaj për muaj të marrin një pagesë fikse për të përballuar tërrësisht ilaçet dhe faturën e energjisë.
“Duke filluar nga çiftet e reja shqiptare që të kenë mundësi të marrin një banesë me hua, që sot është e pamendueshme për shumicën dërrmuese të çifteve. e ndaj Shqipëria jo vetëm zbrazet nga emigracioni, por po shpopullohet edhe nga palindshmëria. 30 mijë çifte të reja çdo vit, të cilët me paratë e buxhetit të shtetit do të përfitojnë zbutje të interesave të kredisë dhe të kushteve të kolateralit me bonusin për bebet 5-fush të asaj që marrin sot për fëmijën e parë dhe fëmijën e dytë dhe 20 mijë euro për fëmijën e tretë, ne do të heqim një pjesë të barrës financiare që sot është tërrësisht mbi supet tuaja, do ta bëjmë barrë financiare të përballueshme nga buxheti i shtetit shqiptar.
Pensionistët me pensionet më të ulëta dhe çmimet më të larta. Zotimi ynë i parë dhe kryesor është ekonomia shqiptare, rigjallërimi i të cilës do të rrisë bazën e të ardhurave dhe do të mundësojë që shteti shqiptar përmes këtyre të ardhurave t’i përgjigjet kategorive më në nevojë. Duke shkurtuar këmbët e korrupsionit shqiptar, duke bërë të qartë që paratë s’mund të jenë edhe tek shokët e Edi Ramës edhe tek pensionistët shqiptarë, por do të jenë tek pensionistët shqiptar dhe jo tek shokët e Ramës, ne marrim përsipër pensionin minimal prej 250 eurosh, pensionin mestar prej 450 eurosh dhe mbi të gjitha marrim përsipër për të gjithë ata pensionistë nën 300 euro, muaj për muaj të marrin një pagesë fikse për të përballuar tërrësisht ilaçet dhe faturën e energjisë. Nuk do të ketë më barna të parimbursueshme për pensionistët shqiptarë” – tha Basha.
Komente
