Basha ‘pakt sekret’ me Ramën në Dhërmi? Deputetët e PD për Report Tv: Gënjeshtra me bisht! Ligjvënësi i Vlorës Leskaj: S’kam dijeni, s'jam polic 

3 Maj 2022, 15:13| Përditesimi: 3 Maj 2022, 15:18

  • Share

Komisioni i Rithemelimit akuzon Lulzim Bashën, se të premten kishte nënshkruar në Dhërmi një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama që synon  përcarjen e PD-së. 

Marrëveshja, që sipas tyre përmban 4 pika, kishte dakordërsi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndarjen administrative të vendit dhe se ishte ideuar nga deputetët afër Bashës, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku.

Report Tv pyeti deputetët demokratë, të cilët në bllok, nuk shohin asnjë të vërtetë në akuzat e Rithemelimit.

“Këta janë gënjeshtra me bisht” thotë Orjola Pampuri.

“Nuk e besoj që ka një marrëveshje të tillë”, thotë Xhelal Mziu.

“Të gjitha janë mashtrime”, shprehet deputetja Eralda Tase Bane.

“Thashetheme ka plot, kjo është politika”, thotë deputeti i Kukësit Flamur Hoxha, ndërsa Gazment Bardhi u shpreh se “nuk merret me budallallëqe”.

Mosbesim shprehu edhe një prej deputetëve të Komisionit të Rithemelimit, Bujar Leskaj, i cili tha se nuk ka dijeni për një marrëveshje të tillë.

-Zoti Leskaj, a keni një koment për akuzat që deputetët e Rithemelimit kanë bërë ndaj zotit Basha se ka bërë marrëveshje me Ramën në Dhërmi?

-Po a keni dijeni për këtë marrëveshje?

-Nuk kam dijeni, nuk jam polic, -tha Leskaj

Ndërsa Ervin Salianji nuk harroi të shigjetonte Lulzim Bashën, duke thënë se nuk do të ishte hera e parë e një marrëveshje mes tij dhe shefit të qeverisë.

“Nuk është hera e parë që akuzohet” u shpreh ai.

Mbremë kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tashmë është shkarkuar nga Komisioni i Rithemelimit, sqaroi përmes një mesazhi deputetët se nuk ka asnjë dokument të tillë dhe se akuzat janë sajesa në vazhdën e tentativave që ka grupi i Sali Berishës për të përçarë edhe më tej demokratët. Ndërkohë, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale mbahen ende pezull për shkak të krizës brenda PD. Kjo e fundit ende nuk ka dërguar në parlament emrat e deputetëve që do të jenë në komisionet për këto 2 reforma , të ngritura me vetë kërkesën e opozitës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?