Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pasi la sallën e Kuvendit, sepse nuk u zhvillua interpelanca me kryeministrin Edi Rama për aferën e incneratorëve, tha se kreu i qeverisë ka përdorur vizitën e Blinken që t’i fshihet kushtetutës. Basha tha se javën e ardhshme do të bëjnë padi në SPAK për kryeministrin Edi Rama dhe Blerim Hoxhën, ku do të përfshijnë edhe akuzat e Arben Ahmetajt ndaj Ramës.
'Është e qartë që Edi Rama ka përdorur vizitën e sekretarit Blinken për t’u fshehur nga një detyrim kushtetues, që nga ana tjetër tregon se çfarë teatri i shpifur luhet këtu dhe sa i leverdis Ramës që të mos ketë Parlament, të mos ketë përgjegjësinë që të përgjigjet para shqiptarëve, detyrimin të përgjigjet para opozitës, para PD. Dhe nga ana tjetër po kështu shpreh keqardhjen që ky skenar, që është totalisht në favor të Edi Ramës, sot ekzekutohet nga të tjerë deputetë të opozitës duke i hequr mundësinë opozitë ta gozhdojë Ramën para opinionit publik.
Megjithatë Siç e kam thënë, siç e kam komunikuar edhe me qytetarët gjatë konferencave tona për shtyp, PD nuk do të dorëzohet para këtij realiteti, para këtij teatri, të qartë që luajnë me njëri-tjetrin. Ndonëse i ikën interpelancës, përgjegjësisë nuk do t’i ikin dot. PD po përgatit dhe javën e ardhshme do të dorëzojë në SPAK padi penale bazuar mbi faktet e reja të dala në dritë, përfshirë pohimet e ish-zv.kryeministrit që përfituesi i vërtetë i aferës së inceneratorëve është Rama, si edhe subjekte të tjera të përfshirë në këtë aferë, të denoncuara nga ish-zv.kryeministri, që është individi Blerim Hoxha, i cili supozohet është një nga prestanomet që ka kanalizuar miliona euro të shqiptarëve, të vjedhura përmes inceneratorëve, në xhepat dhe në fushatat elektorale të PS, të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.'- tha Basha.
Lajmi kryesor:
Blinken në Tiranë/ Rithemelimi ‘zbeh’ kaosin në Kuvend! Mes zhurmës kalon ligji për bastet, s'mbahet interpelanca e PD! Basha: Çojmë Ramën në SPAK
M.Q./ReportTv.al