TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu është bashkuar urimeve në kuadër të 75-vjetorit të krijimit të OKB-së. Basha theksoi se OKB është krijuar për të forcuar bashkëpunimin mes shteteve. Ai shtoi se do të punohet shumë fort që pjesë e OKB-së të bëhet shumë shpejt edhe Kosova, si një shtet anëtar me të drejta të plota. Ky, thotë Basha, është një zotim i tij kur të marrë drejtimin e qeverisë.
"Dita e sotshme shënon 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, e krijuar për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Sivjet mbushen gjithashtu 65 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është dita për të rikonfirmuar përkushtimin tonë për të ndjekur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe mbështetur misionin e OKB-së në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë. Në këtë 75 vjetor të OKB dua të shpreh urimin që gjithashtu që Republika e Kosovës të marrë sa më shpejt vendin që i takon si shtet anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate. Unë dhe qeveria e ardhshme e Shqipërisë do japim mbështetje të pakursyer për ta bërë këtë realitet", shkruan Basha.