Basha president? Ralf Gjoni shkrihet së qeshuri në studion e Report Tv: Humor! LSI nuk e kënaq oreksin politik të Metës, shpresa e tij një parti e re

5 Prill 2022, 20:56| Përditesimi: 5 Prill 2022, 21:42

  • Share

Ish-deputeti Ralf Gjoni i ftuar në Report Tv për të folur rreth zhvillimeve të fundit brenda Partisë Demokratike, e cilësoi dorëheqjen e Lulzim Bashës shumë të vonuar, ndërsa theksoi se duhet të ishte larguar pas humbjes së tij të parë.

Gjoni tha se Lulzim Basha nuk do të mund të ishte bërë kurrë një kryeministër, pasi i mungon gjithçka!

 “Dorëheqja e Bashës shumë e vonuar. Ishte shumë e turpshme që qëndrojë kaq gjatë në krye të PD, ai duhet të ishte dorëhequr që në humbjen e parë, kështu funksionon në modelin demokratike. Fatkeqësisht asnjë parti politike nuk tregon demokraci brenda saj. E kam të vështirë të besoj që shpresa opozita e re sot vjen nga i njëjti person që ka qenë në 1990, Sali Berisha.  I mungonte gjithçka për t’u bërë kryeministër! Jam i habitur sesi ai qëndrojë në krye të PD. Berisha e vuri Bashën, i katapultuar dhe i mbrojtur, i mbështetur deri në fund.”, tha ai.

“A e shihni Bashën si presidentin e ardhshëm të vendit?”, kjo pyetje i mjaftoi ish-deputetit Ralf Gjino për t’u shkrirë së qeshuri në studion e “Studio Live” me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj.

“Unë s’kisha ardhur për humor sot. Mjaft e kemi një president që ka qenë jo pak kontroversjal. Ky do të ishte kulmi i batutës. S’e shoh dot president.”, tha ai duke qeshur.

Sipas tij rikthimi i Sali Berishës në krye të PD do të ishte një gabim, pasi ai nuk frymëzon më.

“PD nuk ka probleme me Amerikën, PD ka problem me elektoratin. Pyetja është a do të mundet Sali Berisha të frymëzojë demokratët dhe t’i bashkojë? Pyetja kryesore është a do të mundet ai të frymëzojë për të votuar elektorati gri, ky është dhe çelësi i suksesit. Unë mendoj që jo. Elektorati gri sa vjen dhe rritet. Nuk shoh asnjë shpresë për opozitarizmin me Berishën.”, tha ai.

Gjoni e cilësoi LSI si “dashurinë politike” të Ilir Metës, por pas mbarimit të mandatit të tij si president shpresa e tij e vetme do të ishte një parti e re.

"Dashuria politike e Metës është LSI. Nuk e shoh që LSI mund të jetë një platformë që do t’i kënaq oreksin politik Metës, mendoj që shpresa e tij do të ishte nëse do kthehej në krye të  një lëvizjeje tjetër, me një emër tjetër.", tha ai.

Sipas tij Perëndimi duhet të tregojë që ka këllqe lidhur me Ukrainën, duke shtuar se fjalët i merr era dhe nuk e ndryshojnë situatën.

“Perëndimi duhet të tregojë që ka këllqe, jo vetëm fjalë dhe show teatral. Këshilli i Sigurimit deri tani është vetëm një show teatral. Këto fjalë nuk kanë rëndësi dhe impakt pasi në Ukrainë po vriten çdo ditë njerëz.”, tha ai.

Ora 21:41
Lufta në Ukrainë, Ralf Gjoni thirrje për bashkim në Report Tv: Të mblidhemi të premten në Tiranë për të dënuar agresionin rus

Përmes studios së Report Tv, Ralf Gjoni ka bërë një thirrje për t’u bashkuar në një manifestim ditën e premte kundër agresionit rus në Ukrainë.

Sipas ish-deputeti shqiptarët duhet të jenë më vokal lidhur me kauzën e Ukrainës, pasi është një kauzë shumë fisnike.

“Kjo është një iniciativë që mësa kam dijeni është marrë nga komuniteti Ukrainës në Tiranë. Kauza është shumë e rëndësishme. Rritja e çmimeve dhe pasiguria e krijuar në familjet shqiptare është pasojë e luftës në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë që qeveria shqiptare nuk duhet të marrë masat e duhura, por kriza në Ukrainë është shumë e rëndësishme. Ne kemi një detyrim moral si shqiptar të jemi aty të premten për të mbështetur kauzën e popullit të Ukrainës, që është një kauzë fisnike. Ne e kemi kaluar edhe me Kosovën. Si shqiptarë duhet të jemi më vokal, kemi qenë më pak prezent se popujt e tjerë. Duhet të japim një mesazh që shqiptarët nuk janë një popull anti-rus, por që dënojnë fortë agresionin rus në Ukrainë. Në luftë ka rregulla! Ka ligje ndërkombëtare që duhet të merren parasysh.”, tha ai.

Më herët ai e ka publikuar njoftimin edhe në rrjetin e tij social, Facebook.

“Disa miq ukrainas më kanë kërkuar mbështetje për manifestimin që do të organizohet të premten dt. 8 prill ora 12:00 në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus ndaj popullsisë atje.

Marshimi që do të nisë nga Sheshi Skëndërbej, është thirrur nga komuniteti ukrainas në Tiranë dhe janë të ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, pa dallim politik, të bashkohen.”, shkruan ai.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?