Basha gjatë prezantimit të kandidatëve për Qarkun e Lezhës

Politikë

Basha prezanton kandidatët e qarkut të Lezhës: Të tjerët i ka bashkuar frika ndaj SPAK, duan ta shkatërrojnë! Jemi e vetmja forcë që mbështet drejtësinë

18 Mars, 19:44| Përditesimi: 18 Mars, 19:45

  • Share

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka prezantuar ditën e sotme kandidatët për deputetë të qarkut të Lezhës. Në fjalën e tij Basha theksoi angazhimin e grupimit që drejton për mbështetje të fuqishme ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi. Ai deklaroi se Koalicioni Euroatlantik është i vetmi që mbështet plotësisht SPAK, duke e cilësuar atë si shpresën e shqiptarëve për të luftuar pandëshkueshmërinë.

Basha tha se ndryshe nga kundërshtarët që kanë frikë nga drejtësia dhe duan ta minojnë atë për interesat e tyre, Demokratët Euroatlantik angazhohen për të dyfishuar mbështetje për SPAK, duke përfshirë paketën ligjore për forcimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të parlamentarëve.

“Ne, Demokratët Euroatlantikë, Koalicioni Euroatlantikë kemi qëndruar e qëndrojmë pa asnjë dilemë dhe me mbështetjen më të fuqishme pro drejtësisë, pro SPAK e cila është shpresa e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është veçoria e parë që na ndan me të tjerët. Të gjithë të tjerët i ka bashkuar frika ndaj SPAK. Kanë frikë për zullumet, kanë frikë se u kanë hyrë në hak shqiptarëve. Dhe projekti i tyre i përbashkët, është ta ngadalësojnë, ta frenojnë, e mundësisht ta shkatërrojnë drejtësinë, para se drejtësia t’i vendos ata para përgjegjësisë, e t’i bëjë të japin llogari sipas ligjit. Pra, gjëja e parë që na bashkon në këtë sallë, që kemi shumë gjëra që na bashkojnë këtu e na ndajnë me të tjerët, është mbështetja totale për SPAK, të cilit jo vetëm i themi punë e mbarë, por që në shtator e tutje do ta mbështesim me paketën tonë ligjore të hartuar në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, për t’i dyfishuar mjetet financiare, burimet njerëzore, për t’i dhënë infrastrukturën e nevojshme ligjore, duke filluar me vettingun e politikanëve, me heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Sepse parlamenti i ardhshëm i Shqipërisë, nuk mund të jetë si ky që po shkon, një parlament i privilegjit, një parlament i hajnis, një parlament i korrupsionit, një parlament mbi ligjin. Parlamentarët duhet, e me ndihmën e Zotit dhe votën e shqiptarëve të jenë të barabartë me ligjin si çdo qytetar tjetër”, tha Basha.

Basha nënvizoi se vota për Koalicionin Euroatlantik është një votë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

“Për këtë arsye, ne kemi pasur parasysh në përzgjedhjen e kandidaturave tona kushtin e padiskutueshëm të mbështetjes totale ndaj SPAK dhe Reformës në Drejtësi. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit e njëkohësisht të jesh kundër SPAK. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit e të bashkosh votat me Edi Ramën për të liruar të korruptuarit e dënuar nga SPAK. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit, e t’i presësh fondet SPAK-ut. Ndj të jemi të qartë dhe pa asnjë dilemë, ka një forcë politike, le ta dinë mirë shqiptarët, që do ta dyfishojë, e do ta trefishojë mbështetjen për SPAK-un, e vetmja forcë politike që do ta bëjë këtë në bashkëpunim me partnerët tanë Euroatlantikë, është Koalicioni Euroatlantik. Ndaj dhe vota për Koalicionin Euroatlantikë, për kolonën 4 në fletën e votimit, është e vetmja votë në mbështetje të SPAK-ut, kunër korrupsionit, kundër pandëshkueshmërisë.

Prel Dedaj, Aleksandër Jushi, Kejda Myftari, Flora Myrta, Eduart Ndocaj, Kol Nikolli dhe Sander Prenga, janë 7 kandidatët që do të garojnë në listën e hapur të Koalicionit Euroatlantik dhe do kërkojnë votën e banorëve të këtij qarku.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?