Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin.
Në një postim në Facebook, Basha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë dhe një qeverisje me integritet, meritokraci dhe përkushtim ndaj interesit publik.
‘Shqipëria meriton më shumë se Edi Rama dhe shpura e tij, që e ka kthyer korrupsionin dhe lidhjen me krimin në kriterin të kompetencës për qeverisjen e vendit. Shqipëria meriton një tjetër model, ku më të mirët janë ata që shërbejnë me ndërshmëri, meritë dhe përkushtim ndaj interesit publik, jo hajdutët e dobishëm me të cilët Edi Rama krenohet dhe në bashkëpunim me ta ka varfëruar familjet shqiptare, duke imponuar anti-vlerat si “histori suksesi”. Më 11 maj, kemi në dorë të lëmë pas dështimet në arsim, shëndetësi, siguri të kësaj qeverie që nuk ka më çfarë t’u japë shqiptarëve, përveç thellimit të mëtejshëm të krimit dhe korrupsionit', tha ai.
Ai shprehet se programi i Demokratëve Euroatlantikë anti-korrupsion, përfshin krijimin e një njësie për rikuperimin e pasurive të vjedhura, mbështetje të plotë për SPAK dhe GJKKO, forcimin e Ligjit “Anti-Mafia” dhe ashpërsimin e masave kundër korrupsionit në Kodin Penal.
'Me planin tonë do krijojmë një njësi të posaçme për gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura, duke ua kthyer ato shqiptarëve. SPAK dhe GJKKO do të kenë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë, ndërsa Ligji “Anti-Mafia” do të forcohet për të goditur zyrtarët e korruptuar. Çdo kontratë koncesioni ose PPP e dyshimtë do të verifikohet dhe, nëse është abuzive, anulohet menjëherë. Kontrollin e Lartë të Shtetit do ta shndërrojmë në Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me vendime të ekzekutueshme pa vonesë. Po ashtu, do të rishikohet kuadri ligjor për operatorët “off-shore”, me qëllim që kontratat abuzive të jenë gjithnjë subjekt i Ligjit “Anti-Mafia', tha ai.