Basha: Rama hoqi 4500 punonjës
Por PD tregon vetem 1189 emra 

14 Dhjetor 2013, 17:31| Përditesimi:

  • Share
Kryetari i Partisë Demokratike doli në një konferencë për shtyp për të denocuar atë që ai e quajti “raprezalje antiligjore dhe antinjerëzore”, që është ndërmarrë ndaj administratës shtetërore.

Fjala e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha:

Zhbërja, paligjshmëria dhe arbitrariteti kanë shkëlqyer botërisht si tiparet e qeverisë “Rama” këto 3 muaj të parë dhe në asnjë fushë më bindshëm se sa në fushën e spastrimeve politike të administratës publike, duke larguar profesionistët dhe duke punësuar në vend të tyre klientelën klanore, nepotike apo korruptive të dyshes Rama-Meta.

1189 është numri i dokumentuar i deri djeshëm, i të larguarve dhe shkarkuarve që kanë paraqitur zyrtarisht ankesa online dhe pranë zyrave të Partisë Demokratike. Numri total i të larguarve përllogaritet megjithatë rreth 4500.

Një pjesë e madhe e tyre janë nëpunës civilë, dhe një pjesë tjetër do të gëzonin këtë status prej datës 1 tetor. Kjo është arsyeja pse Rama e shtyu hyrjen në fuqi të ligjit për Nëpunësin Civil, nëpërmjet sjelljes së tij antikonsensuale dhe akteve të tij antikushtetuese, sepse kjo përbënte një pengesë të fortë ligjore për spastrimet që ka nisur.

Por spastrimet që janë ndërmarrë këto 3 muaj  janë bërë në shkelje të hapur dhe flagrante jo vetëm të ligjit të ri,  por të çdo ligji tjetër në fuqi apo të vjetër, nëpërmjet mekanizmave antiligjorë të ndryshimeve artificiale të strukturave, duke ndryshuar emërtimin e zyrave por jo të funksioneve, e duke mos paraqitur asnjë motiv ligjor.

Janë të dokumentuar, siç e thashë më lart, 1189 raste flagrante shkarkimesh të paligjshme  deri dje, por numri total po sipas informacioneve tona, deri dje ka mbërritur në afro 4500 burra dhe gra, të rinj dhe të reja. Sot po paraqesim  para medias  dhe opinionit publik  një fragment të vogël por domethënës të kësaj reprezaljeje sistematike dhe natyrës së saj antiligjore dhe antinjerëzore. 4 raste që flasin më së miri për këto dy tipare të qeverisjes ndaj administratës dhe shtetit në tërësi.

Eda Grimci, hiqet nga puna teksa është me leje lindje. Në kundërshtim flagrant me ligjin. E largon nga detyra, pa asnjë lloj ndjeshmërie njerëzore dhe kundër ligjit, edhe në momentet e sjelljes në jetë të një fëmije,  ministrja grua e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Silvana Bastri, një përfaqësuese dhe aktiviste e njohur e romëve, një specialiste e kualifikuar. Largohet nga puna prej ministrit të Mirëqenies, i cili përtej shfaqjeve bajate televizive për gjendjen e romëve, shkarkon ndoshta të vetmen përfaqësuese rome në këtë dikaster.

Selman Tema, një oficer i trajnuar në kurse të PAMECA-s dhe i specializuar në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Largohet nga puna me motivacionin se është shkurtuar pozicioni i tij, dhe nuk as edhe një vend në gjithë policinë e shtetit për këtë oficer të mirëtrajnuar me kosto nga taksapaguesit shqiptarë, amerikanë dhe europianë dhe me rekorde në luftën ndaj krimit. Pozicioni sigurisht nuk është shkurtuar, pasi aty emërohet të nesërmen menjëherë një i përjashtuar nga policia në kohën e qeverisjes së socialisteve, për shkelje të rënda në detyrë.

Juristi Kristaq Profkola, punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe fitoi me konkurs një bursë Fullbright nga qeveria amerikane për t’u specializuar në SHBA. Sipas ligjit, në të tilla raste, pozicioni i punës ruhet për fituesin e bursës. Profkola , ndërkohë që gjendej në SHBA duke u specializuar pas një seleksionimi si ndër më të mirët,  ka marrë njoftim  jo zyrtar por prej kolegëve të tij, se është shkarkuar nga puna.

Raste si këto janë me qindra. Ato flasin vetë për tiparet dhe standardet  antiligjore dhe antihumane  të qeverisë se sotme. Spastrimet e paligjshme në administratën publike kanë vazhduar edhe dje, kur sipas njoftimeve, Gjykata  Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur  rrëzimin e Aktit Normativ të qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësin Civil, për rrjedhim  anulimin e gjithë efekteve që ky akt tashmë haptazi antikushtetues  ka prodhuar tashmë gjatë këtyre  tre muajve të qeverisjes.

Partia Demokratike qëndron në krah të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave dhe familjeve të tyre të goditur nga paligjshmëria dhe pandjeshmëria arrogante dhe arbitrare e Ramës dhe të tijve.

Ne po përgatisim një paketë masash juridike dhe organizative për tu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë prekur padrejtësisht nga këto veprime antiligjore. I siguroj ata dhe mbarë opinionin publik se shkaktarët dhe përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme do të përgjigjen herët apo vonë para ligjit dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që ata të përgjigjen sa më herët.

Pyetje:  Çfarë do të ndodhë me të larguarit nga puna pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Siç ju thashë, po përgatisim një paketë të plotë masash juridike dhe organizative të cilën do ta komunikojmë me të gjithë të prekurit nga shkarkimet e paligjshme në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe në kundërshtim me kuadrin e vjetër ligjor, në kundërshtim me ligjin e ri për nëpunësin civil i cili sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i shtrin efektet tashmë që prej 1 tetorit. Për detajet do t’u komunikojmë menjëherë pas zbardhjes së vendimit të njoftuar dhe të raportuar në media ditën e sotme e dje në mbrëmje.

Pyetje: Z Basha, a keni ndonjë koment për shkatërrimin e kompleksit “Jon”?
Për këtë duhet të pyesni Arturo Ui tek Kryeministria.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?