Lulzim Basha dhe Jemin Gjana

Politikë

Basha shpërblen Jemin Gjanën me 1 vend në Kryesi, akuzohet si dora që ka kapur zgjedhjet në PD, drejtoi votimet e kontestuara pas humbjeve në 2017 dhe 2021

20 Korrik 2021, 17:00| Përditesimi: 20 Korrik 2021, 15:13

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur të shpërblejë Jemin Gjanën, njeriu e zgjedhjeve të dyshimta në PD, duke e bërë pjesë e Kryesisë. Gjana, i cili drejton Komisionin e Zgjedhjeve të PD-së që nga viti 2017, është bërë anëtar i Kryesisë falë ndryshimeve në statutin e partisë, të propozuara nga Basha dhe që u miratuan pa asnjë ndryshim nga Kuvendi kombëtar katër ditë më parë. Ndryshimet parashikojnë që pjesë e Kryesisë së PD-së është automatikisht edhe kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve. Lulzim Basha i ka besuar Jemin Gjanës organizimin e dy proceseve zgjedhore, në momentet më të vështira të karrierës së tij politike, pikërisht për konfirmimin e tij në krye të partisë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2017 dhe zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. 

Dy proceset zgjedhore të administruara nga Jemin Gjana janë kontestuar dhe shpallur nga zërat kritikë të Bashës brenda PD-së si farsë dhe të manipuluara në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë karakterizuar nga zhdukja e mijërave anëtarëve para votimit, mbajtja sekret e listës së zgjedhësve, heqja nga lista e anëtarëve të dyshuar si votues të kundërshtarëve të Bashës, numërimi jo transparent i votave etj. Grupimi ‘Pro PD-së’, sidomos Arben Imami, Bujar Nishani, por edhe Besnik Mustafaj dhe Agron Shehaj, kanë artikuluar akuza të forta në adresë të Jemin Gjanës, duke e konsideruar një personazh të pabesueshëm dhe si dorën e Bashës që ka kapur zgjedhjet në PD. 
 
Sipas ndryshimeve statutore, në Kryesinë e re të PD do të përfshihet edhe pasuesi i Bujar Nishanit në krye të Këshillit Kombëtar. Kryetari i ri do të zgjidhet në mbledhjen e parë të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilët zgjodhën nga Kuvendi Kombëtar të PD-së në mbledhjen që u mbajt në fund të javës së kaluar. Gjithashtu, pjesë e Kryesisë së PD-së do të jenë edhe kryetari i Bordit Financiar si dhe kryetari i Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës në PD. Ndërkaq, sipas ndryshimeve, kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve, Bordit Financiar, Integritetit dhe Etikës nuk do të zgjidhen më nga Kryesia, por nga Këshilli Kombëtar. 

Por, nga ana tjetër, Kryesia e PD-së do të ketë në kompetencë miratimin e kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet lokale të 2023. Ndryshe parashikohet që të operohet me zgjedhjeve e kandidatëve për deputetë, lista e të cilëve do të miratohet nga Këshilli Kombëtar. Pas konsultimit me anëtarësinë lista e kandidatëve për deputetë do të konfirmohet nga Kryesia, e cila do ta përcjellë për miratim në Këshillin Kombëtar. Për të dy rastet, statuti nuk ka ndryshuar. Ndërkaq, statuti i ri i PD-së, edhe një herë, nuk parashikon asnjë përgjegjësi nga askush për humbjen e zgjedhjeve. 

Statuti i ri i PD-së, përbërja e Kryesisë

Statuti i PD-së i shfuqizuar, përbërja e Kryesisë

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?