Lulzim Basha nga takimi me shqiptarët në Athinë

Politikë

Basha takim me emigrantët në Athinë: Vetingu i politikanëve dhe heqja e imunitetit, dëshmi se jemi pro SPAK! Në 12 vite u larguan 1 milionë shqiptarë

23 Mars, 21:31| Përditesimi: 23 Mars, 22:12

  • Share

ATHINË-Drejtuesi i demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim me shqiptarët në Athinë. Gjatë fjalës së tij, Basha solli në vëmendje projektligjin për vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të tyre.

Sipas tij, këto projektligje janë prej një viti të depozituara në Parlament, por që sipas tij nuk futen as për shqyrtim në rendin e ditës. 

Basha tha se demokratët euroatlantik janë forca politike, e cila mbështet SPAK. 

'Që të luftosh korrupsionin, duhet të mbështesësh drejtësinë e pavarur. Nuk mund të ulesh njëkohësisht në dy karrige, provoje, shiko si të dalin këmbët. Provoje të ulesh në dy karrige, edhe kundër korrupsionit edhe kundër SPAK-ut. Kush ju thotë që është kundër korrupsionit dhe kundër SPAK, është me korrupsionin. O je kundër korrupsionit dhe je me SPAK-un, o je kundër SPAK-ut dhe je me korrupsionin. Prej një viti e gjysmë ne kemi depozituar në Parlamentin e Shqipërisë zyrtarisht ligjin për vettingun e politikanëve.

Kush nuk justifikon pasurinë, shkarkohet. Ky është standarti që ne kërkojmë për politikanët shqiptarë për të 140 deputetët shqiptarë, për anëtarët e kabinetit, për kryeministrin, për Presidentin, për drejtuesit e lartë të shtetit. Po në të njëjtën kohë ehe projektamendamentin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që kur një parlamentar dyshohet se ka kryer një krim në veçanti një krim të rëndë si korrupsioni apo krimi i organizuar, nuk ka nevojë të mblidhet parlamenti t’i heq imunitetin, por shkon si çdo qytetar në prokurori, në qoftë se është e nevojshme në arrest dhe para gjyqit'', tha ai.

Basha foli për largimin e shqiptarëve në vitet e fundit. Ai ironizoi deklaratat e Ramës duke thënë se është ai që "i do më shumë emigrantët", duke i dyfishuar ata që kanë braktisur Shqipërinë gjatë qeverisjes së tij.

'Po është e vërtetë, njeriu që i do më shumë emigrantët është padiskutim Edi Rama. I do kaq shumë, sa në 12 vitet e qeverisjes i ka dyfishuar numrin e emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut. Është e vërtetë, e ka zbrazur Shqipërinë. Dhe kjo është prova më e qartë, më e prekshme e dështimit të tij 12 vjeçar. Nëse dështuimi i tij dhe i qeverisjes së tij nuk do të shtrihej virtualisht dhe realisht në çdo fushë të jetës, a do kishte vallë 1 milionë emigrantë më shumë anembanë botës, apo do kishte 1 milionë emigrantë të rikthyer në Shqipëri.

Është dështimi total, katastrofik me ekonominë. I ka shtyrë dhe i shtyn shqiptarët në këto 12 vite të qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës, më të korruptuar nga 1912-ta, të marin rrugët e botës. Nëse ekonomia shqiptarë do të zhvillohej, nëse ekonomia shqiptare do të ishte prioritet i Edi Ramës dhe i qeverisjes së tij, nëse do të mbante fjalën për 300 mijë vende pune, atëherë nuk do të iknin 1 milionë shqiptarë në emigracion’, tha ai.

Në takimin me shqiptarët në Athinë, Basha theksoi angazhimin e tij për të hequr vizat edhe me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.

'Ishte një kohë kur ishim krah për krah me Kroacinë në anëtarësimin në NATO. Dhe sot jemi në të njëjtën tavolinë si Republika Helene, si Greqia në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe të vlerave në botë në NATO. Dhe t’ia themi këtu nga Athina, t’ia kujtojmë kryeministrit që tavolina ku e kam ulur Shqipërinë, është e vetmja tavolinë ku ai ulet dhe sot e kësaj dite me partnerët Euroatlantik. Kjo është një provë tjetër se kur ke një qeveri dhe një kryeministër që parësor kanë interesat e njerëzve, nuk ka asgjë të paarritshme. Dhe sot nga Athina, meqë përmendëm shembullin e Kroacisë që tani ëstë bërë anëtare e Bashkimit Europain dhe janë hequr dhe vizat me SHBA, dua ta përsëris zotimin tim se ashtu siç punuam dhe hoqëm vizat me Bashkimin Europian, do të heqim vizat për shqiptarët me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe', tha ai.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a i besoni premtimet e partive?