Lulzim Basha, drejtues i Koalicionit Euroatlantik, zhvilloi një takim me strukturat e Degës 2 në Tiranë, ku prezantoi disa nga pikat kyçe të programit për zgjedhjet e 11 majit. Basha theksoi rëndësinë e një alternative që promovon ndryshimin e vërtetë, me fokus në vlerat njerëzore dhe angazhimin qytetar.
Basha u ndal te tri çështje kyçe, çështja e pronës, dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë dhe mbështetja për familjen shqiptare. Basha propozoi një paketë mbështetjeje për familjet, përfshirë ndihma financiare për fëmijët dhe çifte të reja, si dhe rritje të pensioneve. Për çështjen e pronës, ai prezantoi një reformë që do të sigurojë kthimin e pronave dhe kompensimin e pronarëve për pronat e humbura.
Basha e cilësoi çështjen e të përndjekurve politikë si një padrejtësi historike, duke propozuar dëmshpërblim të plotë dhe një status të veçantë për ta. Ai theksoi se këto reforma janë jetike për forcimin e demokracisë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Komente
