Opinion

Basha vetëm e ‘plagosi’ Berishën, ‘babai’ kërkon ta ‘vrasë’ fare në dhjetor

25 Tetor 2021, 20:03| Përditesimi: 25 Tetor 2021, 20:17

  • Share

Lulzim Basha me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD kërkoi të induktonte tek demokratët dhe shqiptarët idenë se kishte “vrarë” më në fund “babain” e tij politik.

Aq shumë u mundua t’i mëshonte këtij fakti, vetë dhe përmes mbështetësve të tij, sa duket sikur vetëm ai e ka besuar një fakt të tillë, pasi situata është krejt e përmbysur nga ajo që Basha bën sikur beson.

E themi këtë sepse Berisha jo vetëm që nuk është strukur për të “vajtuar” vrasjen nga “biri” i tij politik, apo të qahet se si mund t’i ndodhë një gjëmë e tillë prej Bashës, të cilit i kishte dhënë për 16 vite gjithçka, vetëm “shpirtin” nuk i kishte dhënë, por po zhvillon një tur takimesh në bazë me qëllimin për të ngrënë “kokën” e vetë kryetarit të PD.

Në 11 “foltoret” e organizuara në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht qendër qarqesh ndërsa këtë të martë e zhvillon në Kavajë, Berisha në vend që të tulatej nga vendimi i Bashës për të përjashtuar liderin historik nga grupi parlamentar, është rikthyer me gjuhën e tij të më të ashpër ndaj kreut aktual të PD.

Madje duke e akuzuar rëndë, herë duke i përmendur përmes të tretëve me pyetje të gatshme aferat korruptive gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD, gjithherë duke i përmendur marrjen peng nga Edi Rama për të shkatërruar PD, dhe në fund duke këmbëngulur fort se sa të jetë Lulzim Basha në krye të PD, kjo parti nuk vjen në pushtet. Me argumentin se është humbës kronik, ndaj duhet larguar një minutë e më parë nga drejtimi i opozitës.

Dhe nëpër këto shina akuzash dhe kërcënimesh, Sali Berisha lëviz lirshëm, pasi është terreni që njeh më mirë dhe nëpër të cilin ka lëvizur për 30 vite me radhë kundër “armikut” të brendshëm në PD përmes përjashtimeve masive vit pas viti, dhe “armikut” të jashtëm, SHBA, ku vetëm me ambasadorin e parë , Rajerson ka pasur një marrëdhënie normale, që e prishi në fund të herës.

Me të gjithë ambasadorët e tjerë, e ka filluar qetë komunikimin dhe e ka mbyllur duke i shpallur të gjithë të padëshirueshëm për të, për PD dhe në termat e përgjithshëm që ka dëshirë t’i përdorë Berisha, të shqiptarëve. Pasi ai nuk lë rast pa përmendur se “Shqipëria është vend sovran dhe nuk mund të qeveriset nga guvernatorët”, siç i quan ai ambasadorët e SHBA.

Nuk është aspak gjë e mirë për shumë arsye që Berisha të rikthehet, dhe të hedhë tërë shqiptarët në një “bast” masiv me “keoficient” përmbysës, në fillim do të heqë apo jo Bashën nga kryetar i PD dhe tashmë së fundmi, në përllogaritjen e kohës se kur do ta dëbojë në Holandë. Sepse ithtarët e tij e quajnë fakt të kryer shkarkimin, duke përmendur takimet “masive” që organizon në bazën e PD, por dhe në deklaratat se ka mbledhur deri më tani 80 përqind të firmave nga delegatët e Kuvendit të PD për të mbledhur forumin më të lartë vendimmarrës të partisë që të largojë Bashën.

Madje Berisha ka përcaktuar këtë javë, si kohën më të përshtatshme për të shpallur datën e mbajtjes së Kuvendit kombëtar të PD me kërkesën e ¼ e delegatëve të tij, ndërkohë që mbështetës të vetë Berishës deklarojnë se në javën e parë të dhjetorit, mblidhet Kuvendi dhe Basha është i shkarkuar

Në vend që të tulatej pra Berisha nga përjashtimi që vendosi Basha, fatkeqësisht kemi një tulatje të Lulzim Bashës, i cili që prej asaj dite nuk ka ndërmarrë asnjë inkursion në drejtim të bazës së PD për t’i sqaruar mbi vendimin personal që mori, si dhe për të paralajmëruar rrezikun e rikthimit të PD në një “korsi” aspak të dëshirueshme për ta dhe shqiptarët, atë anti-amerikane. Themi aspak të dëshirueshme, pasi opozita shihet gjithnjë si alternativë e ardhshme, që lufton për të ardhur në pushtet, përmes një programi dhe strategjie më të mirë se sa partia që është në pushtet.

Pra Lulzim Basha po luan dobët dhe këtë po e tregojnë dhe zhvillimet brenda PD ku një pjesë e mirë e deputetëve i janë bashkuar nismës së Berishës, një pjesë tjetër qëndrojnë në heshtje për të parë se kush do të jetë fituesi, ndërsa një pjesë që kanë qënë dhe të ashpër me Berishën, kanë nisur të tërhiqen nga deklaratat, të përgënjeshtrojnë vetëveten, madje dhe të fshijnë nga adresat e tyre në rrjetet sociale deklaratat anti-Berishë, për t’i zëvendësuar me ato të tipit “Berisha është i pazëvendësueshëm”

Nëse dikush kërkon fakte, mund të përmendim kreun e listës së deputetëve të qarkut të Dibrës, Xhelal Mziu që ditë pas dite jep nga një deklaratë të re, duke “shkruar” nga “djathtas-majtas” që fshin çfarë ka deklaruar më parë.

Parë në këtë këndvështrim, ajo që mund të themi se Basha nuk e ka “vrarë” Sali Berishën, por thjeshtë e ka “plagosur”. Sepse “vrasjen” mund ta bënte para zgjedhjeve kur ia kërkuan partnerët për të mos e përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë, por nuk guxoi.

Dhe duke qenë se Berisha është një “kafshë” politike, pavarësisht se i ka ikur koha e vakti për të qënë në politikë, po sillet si një “kafshë” e plagosur, që nuk e ka për gjë të marrë gjithçka përpara dhe ta rrafshojë të gjithën, vetëm për të ngopur egon e tij, për t’i shërbyer hallit të tij, dhe për të çuar në fund inatin e tij për këtë “besëprerje” siç e cilëson ai vendimin e Bashës, përmes shkarkimit nga posti i kryetarit. Duke dëmtuar rëndë faktikisht vetëm PD-në.

Basha, meqë ka dëshirë të përdorë dhe togfjalëshin “nip Hotajsh”, një fis i përmendur për të gjitha elementët e mirë në Malësinë e Shkodrës, duhet ta dijë se sipas Kodit me të cilin ka bërë emër të mirë ky fis, plagosja shkon baraz me vrasjen, pasi nuk e ka falur ai Berishën, por e ka falur “pushka” që nuk e “vrau”.

Por Bashës gjithnjë “arma” e tij politike i qëllon me “barut të lagur”, ose si parti e djathtë që është PD, në të gjitha përballjet politike meqë “arma” i “ha” shumë majtas, në përpjekje për t’i marrë Ramës elektoratin e qendrës së majtë, Basha nuk ka “qëlluar” në shenjë asnjëherë dhe ka humbur në të gjitha përballjet politike për 8 vite me radhë.

Berisha si malësor që është dhe “kufi” me Malësinë e Shkodrës dhe Hotajt, i di fort mirë kodet, ndaj po luan fort me gabimet e Bashës, që në krye të herës, pas përjashtimit nga grupi i PD, ndaj i mëshon fort pengmarrjes nga Rama, marrëveshjeve me Ramën që sipas tij Basha ka realizuar në 8 vitet që është në krye të PD, të përkthyera në zero fitore përballë rivalit politik që është në mandatin e tretë qeverisës, dhe po punon fort për të realizuar një mandat të katërt.

Basha s’ka lëvizur as gishtin për t’u përballur me Berishën në bazën e PD, por është mjaftuar vetëm me deklarimin se sa të jetë ai kryetar i PD nuk do të ketë Kuvend Kombëtar, pasi nuk mund të lejojë partinë që të kthehet në një bunker anti-amerikan e deri në deklarimin e fundit, me tone më të zbutura, teksa mundohet të bindë nga Tirana bazën e PD se nuk i ka hyrë në hak Sali Berishës, por është ulur me të për të gjetur një zgjidhje që ndihmonte vetë Berishën dhe që të mos dëmtonte partinë.

Se ku mund ta ndihmojë Berishën përjashtimi nga grupi i PD, Basha nuk ka sqaruar bazën demokrate, e cila është bërë “bakër” teksa ka prerë “biletën” për 12 vite në opozitë, dhe që fatkeqësisht ka kthyer sytë dhe sheh si alternativë shpëtimi rikthimin e 77 vjeçarit Sali Berisha, i cili ka si “faturë” akuzat e 30 viteve në politikë e pushtet për zullume të shumta në kurriz të shqiptarëve dhe për më tepër është rikthyer në një anti-amerikan “rrace” për shkak të shpalljes “non grata” nga SHBA.

Baza e PD kërkon zgjidhje emergjente, jemi të paduruar si komb ne dhe i duam dëshirat të realizuara sa hap e mbyll sytë dhe demokratët nuk bëjnë përjashtim këtu, ndaj shohin Berishën si shpëtim dhe sfidues për të sjellë PD në pushtet, pa menduar më gjatë se as lideri historik me atë barrë akuzash që ka mbi kurriz dhe me izolimin e thellë që SHBA e BE i kanë bërë, nuk e sjell dot PD-në në pushtet.

Meqënëse nuk e “vrau” politikish Berishën por vetëm e “plagosi” duke i lënë punët si gjithnjë në gjysmë siç ka lënë në 8 vite kauzat politike, nuk  ka bërë asnjë lëvizje për të bllokuar Berishën që në bazë, Basha duhet të “shpikë” vetëveten që Berisha të mos e “vrasë” fare në fillim të dhjetorit në Kuvendin Kombëtar të PD që ka paralajmëruar se do ta mbledhë se s’bën.

Duhet të gjejë një mënyrë për t’ia dalë, qoftë dhe duke zbuluar ndonjë “sekret” nga ato që di Basha për Berishën, pasi nuk e ka për herë të parë dekonspirimin e bisedave me partnerët tanë ndërkombëtarë. Por këtë radhë do ia falnin të gjithë pasi nëse e bën, e bën për të shpëtuar PD-në në radhë të parë sikurse pretendon, nga orientimi në “korsinë” anti-amerikane të barabartë me qëndrimin përjetë në opozitë, por dhe karrierën e tij.

Ndryshe, duke bërë deklarata nga selia e PD në Tiranë e kërcënime të tipit “jam nip Hotajsh”, të cilat nuk kanë ngjitur për të ardhur në pushtet për 8 vite me radhë dhe për të cilat Berisha nuk dëgjon fare nga ai “vesh”, shtohen shumë shanset negative që Lulzim Basha në dhjetor të presë biletën vetëm vajtje për në Holandë. Ndërsa në selinë e PD do akomodohen njerëzit e Berishës.

Kështu ndodhi dhe në Afganistan, talebanët erdhën pa shkrehur asnjë armë, por duke marrë njërin pas tjetrit distriktet, për të mbërritur në pushtet, ditën kur sipas marrëveshjes së Dohas, trupat amerikane dhe të aleatëve do të largoheshin nga ky vend.

Në 16 vite politikë, shpresojmë që Basha të ketë mësuar diçka, se si të fitojë vetë një kauzë politike, një përballje politike, qoftë dhe brenda partisë së tij. Të presim, dhjetori do të zbardhë dhe përfundimin e kësaj dileme që ka mbërthyer PD-në por dhe shoqërinë shqiptare: Do kemi një PD të drejtuar realisht nga Basha, apo një rikthim të dytë të 77 vjeçarit Berisha në krye të saj?!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?