Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama

Opinion

Bashën e mbështet Rama në PD dhe kaq mjafton!

23 Maj 2021, 17:13| Përditesimi: 23 Maj 2021, 17:18

  • Share

Pas kohëve të mira PD-PS të pak viteve më parë, të cilat pasuan marrëdhëniet tejet miqësore Berisha-Nano, ka ardhur radha e miqësisë së re Rama-Basha. Njësoj si atëherë, dyshen e drejton më i fuqishmi, në këtë rast kryeministri i vendit, i cili me sjelljen e tij të kujdesshme, kjo duhet theksuar, po i jep mundësi të gjithëve të besojnë se njeriu me të cilin mund të trajtohen problemet e vendit është pikërisht ai, Basha. Nuk është vendi për të rreshtuar deklaratat e tij. Me këtë qetësi paradoksale pas humbjes në 25 Prill, Basha ka hapur udhë për zgjedhjet e kryetarit në parti, duke lënë një periudhë fare të vogël përgatitje për kundërshtarët, që nuk i menaxhon dot edhe me rrjetet sociale dhe po përgatitet të bashkëqeverisë me resurset, që do t’i afrojë Rama. Ato deklarata që lexon aty-këtu ose që i artikulon pa asnjë nerv kundër Ramës janë thjesht disa gudulisje për njeriun që do të menaxhojë vendin në mandatin e tij të tretë.

Është idilike prurja e njerëzve që e sfidojnë Bashën në krye të PD-së, jo thjesht për ato gjëra të drejta që shpalosin dhe që nuk u dëgjohen, por edhe për kohën e pakët, komisionin që do t’i administrojë, e më shumë se kaq për indiferencën totale, që po i përcjell. Dhe, kjo është e dhimbshme për një proces, i cili merr përsipër të reformojë një nga partitë, e cila ka bërë realisht historinë e demokracisë në vendin tonë dhe që po i drejtohet ngadalë humbjes së identitetit përmes drejtuesit aktual Basha.

Ndodh që zyrtarët e qeverisë shqiptare flasin për ndërtimin e platformave anti-korrupsion, për idealizëm, por harrojnë se janë prej tetë vitesh në pushtet dhe puna e tyre lë shumë për të dëshiruar. E vetmja gjë që mund të krenohen së fundmi është vënia e Berishës me shpatulla pas muri prej Departamentit të Shtetit për korrupsion të tij, në ndihmë të miqve dhe për familjarët e vet por aspak e shumë njerëzve për të cilët ka evidenca dhe bëjnë jetën e tyre të qetë nën vëzhgimin e trishtë të shumë shqiptarëve, të cilët po mendojnë të nesërmen e munguar. Basha, vetë, një nga këto personazhe bën jetën e vet duke u pasuruar sidomos në periudhën e varfërimit masiv të vendit, i anatemuar vetëm nga rrjetet sociale e krejt i qetë për aferat e pretenduara të “Rrugës së Kombit”.

Ajo, që sot vret më shumë shqiptarët, nuk është bashkëpunimi PS-PD në interes të vendit, që e mirëpritet, por ndihma që i japin të dy liderët indirekt njëri-tjetrit për interesat e tyre.  Ky mund të quhet sot trishtimi për të ardhmen e PD-së, forcës politike nga e cila jo vetëm pritet më shumë por që duhet të bëjë krejt më ndryshe, të shkojë aty ku është. Por edhe për ketë duket se mendojnë Basha me Ramën. Bashkë ndryshojnë rregullat e lojës, bashkë kuptohen për shumë gjëra. Dhe, ky është lajm i keq për Berishën, që tashmë pak nga pak do të lihet mënjanë edhe de facto nga beniamini i tij në këtë moment të fundmit për të, por sidomos i mëtonjësve si Kadilli, Harxhi, Shehu etj., që mendojnë se mund t’i ndryshojnë fatin partisë së tyre me një proces që duket i mbyllur që në hapje. Bashën e mbështet sipas mënyrës së tij Rama dhe kaq mjafton, që zgjedhjet për kryetarin e PD-së, paçka skenarit sesi do të organizohen, do mbyllen me fitoren e kryetarit aktual.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?