Bota

Bashkë për të përballuar krizën, Franca do i japë gaz ndërsa Gjermania rrymë elektrike, Macron: Të kursejmë 10% energji, s’do ketë ndërprerje

5 Shtator 2022, 20:59| Përditesimi: 5 Shtator 2022, 21:13

  • Share

Franca dhe Gjermania kanë arritur dakordësi për të përballuar krizën energjetike dhe dimrin e vështirë që është paralajmëruar. Pas një bisede me kancelarin Olaf Scholz, Macron ka njoftuar se Franca do t’i japë gaz Berlinit, ndërsa në këmbim do të marrë energji elektrike.

Në kushtet e krizës globale të energjisë dhe ndërprerjeve të furnizimit me gaz nga Rusia, vendet e BE-së janë vënë në lëvizje për të marrë masa për të përballuar dimrin, që parashikohet të jetë i vështirë.

Franca ka vendosur të dërgojë më shumë gaz në Gjermani dhe të marrë prej saj energji elektrike. Dakordësia është arritur pas një video-konference që presidenti i Francës Emmanuel Macron zhvilloi me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Macron ka njoftuar lidhja e gazit me Gjermaninë do jetë gati brenda këtij viti.

“Ne do ta vendosim veten në një pozicion solidariteti me Gjermaninë për planin e gazit nëse dimri është i vështirë dhe Gjermania ka nevojë për të. Gjermania ka nevojë për gaz dhe ne e prodhojmë atë. Ne kemi nevojë për energji elektrike, Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës e kanë atë. Ne kemi më shumë termocentrale sesa pritej në mirëmbajtje, pra, ne kemi më pak energji elektrike se sa pritej. Lidhja jonë e gazit me Gjermaninë do të jetë gati për dimër,” u shpreh Macron.

Pavarësisht vështirësive, Macron ka theksuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë por kërkoi që të kursehet së paku 10% e energjisë që konsumohet në Francë.

“Të gjithë kanë rolin e tyre për të luajtur, energjia më e mirë është ajo që ne nuk e konsumojmë. Të kursejmë 10% të asaj që konsumojmë aktualisht", tha në konferencë Macron.

Presidenti francez ka theksuar se lufta ka treguar se sa i domosdoshëm është investimi dhe rritja e prodhimit nga energjitë e rinovueshme. 

“Energjia është një nga instrumentet e luftës të përdorur nga Rusia dhe për këtë arsye ne duhet të vendosim absolutisht veten në një pozicion për të prodhuar burime alternative të energjisë elektrike më shpejt”, tha Macron.

Macron tha po ashtu se do e mbështeste një vendimmarrje të Komisionit Evropian që do të vendoste një tavan për çmimin e gazit të blerë përmes tubacioneve të gazit nga Rusia, pasi do të ulte çmimin. Ndërsa nga ana tjetër Moska thotë se furnizimi me gaz i Evropës do të rifillojë vetëm nëse hiqen sanksionet.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?